Prej disa ditësh, Lindita Halimi, ka udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Tiranë, pasi do të marrë pjesë në festivalin e “Këngës Magjike”.
E teksa ndodhet në kryeqytet, këngëtarja e njohur është ftuar që të japë intervista të ndryshme, ku nuk ka ngurruar që të flasë edhe në lidhje me reperin Big D, me të cilin ka disa vite e martuar.
“Edhe ai ka punuar në kampin Bondsteel. Nuk është se e kam takuar gjatë kohës kur punoja unë aty. Ai ka ardhur në një koncert, isha në Ferizaj, sepse po bënte edhe ai muzikë, kështu si shaka kishte filluar të bënte rap. Dhe pastaj deshi të bëjë një duet, sepse kishte dëgjuar që ishte një këngëtare e re, që është mirë të bënte një bashkëpunim. Gjasmë për duet, por ai kishte pasur tjera qëllime. Pastaj pas gjashtë ose shtatë muajsh më ka dhënë puthjen e parë”, tha Linda e ftuar në “Soiree”.
Më pas këngëtarja tregoi se si e kanë paragjykuar kur bëri publike lidhjen me Big D dhe më pas për martesën. Madje ajo ka rrëfyer se ka ende familjarë që nuk i flasin për këtë gjë.
“Kisha shumë frikë t’ju tregoja prindërve më së pari, sepse ishim vend i vogël, vend konservativ, vajzat akoma jepeshin me mblesëri, s’e njihnin as burrin. Babi më tha: ‘Unë e kam ditur këtë histori, sepse dikush që e ke vetëm mik nuk vjen me të marrë ty në lokal në orën 10 të natës në darkë, nuk del me miq në darkë deri në 3:00 të mëngjesit, sepse unë i kam kaluar këto kohë, por bëja sikur nuk dija deri sa të më tregosh ti vet’. E them pa turp që kam edhe familjarë më të largët të cilët akoma nuk më flasin, sepse nuk e perceptojnë, sepse ideja e tyre ka qenë që ‘kur ti martohesh, prezanton familjen, e ti na ke keqpezantuar domethënë. Mirëpo secili ka jetën e vet, te gjithë janë te martuar, shpresoj që kanë me qenë të lumtur dhe kaq ka rëndësi, në fund të fundit, unë do të jetoj me të”, përfundoi këngëtarja, e cila ka një vajzë.