Para 25 vjetëve Fadil Sulejmani u etiketua si nacionalist nga maqedonasit, por u kualifikuar si ‘i pagdhendur’ edhe nga disa intelektual levantinë buzëhollë shqiptarë. Pse munguan mirënjohjet edhe për disa që e mbështetën para 25 vjetëve dr. Sulejmanin
Nga Emin AZEMI
Universiteti “Fadil Sulejmani” në Tetovë para 25 vjetëve u themelua për të qenë një krah i zhvillimit emancipues e arsimor të shqiptarëve në këto treva. Ideatori dhe themeluesi – dr. Fadil Sulejmani, në fillim u paragjykua dhe u pengua, por pastaj u mbështet, kryesisht nga populli, brenda dhe jashtë në diasporë.
Ky universitet kaloi nëpër disa faza zhvillimi dhe transformimi, kurse të gjithë ata që kanë kontribuar në themelimin dhe zyrtarizmin e tij meritojnë t’iu hiqet kapela. Kur jemi te meritat, mbase më meritori është dr. Fadil Sulejmani dhe bashkëmendimtarët që ishin në fillim krahu i djathtë i tij. Prof. Sulejmani u desh të shkojë edhe në burg për ta paguar koston e lartë të kësaj “aventure” iluministe. Pushteti që e burgosi atë nuk ishte mësuar që dikush nga shqiptarët t’ua prishë ujërat e qetë të lojalitetit, prandaj mund të thuhet lirisht se Fadil Sulejmani është shqiptari i parë në Maqedoninë postkomuniste që lojalitetin fals e ktheu në aksion intelektual kundër apatisë politike e sociale.
Prof. Sulejmani shpesh e thoshte se Universiteti që kishte themeluar ai, mund të dështojë vetëm nëse dështon ai. Por ai asnjëherë nuk dështoi. Nuk dështoi ideja sublime që edhe shqiptarët e Maqedonisë ta kenë arsimin e tyre universitar në gjuhën shqipe, njësoj si bashkëqytetarët maqedonas.
Për të qenë nismëtar i një ideje, nuk mjafton vetëm dëshira. Dr. Sulejmani kishte edhe guximin, që të tjerët nuk e kishin. Ai kishte vizion, kur të tjerët ideonin projekte të pështira bashkëjetese, pa ndonjë substancë të qëndrueshme vlerash.
Para 25 vjetëve Fadil Sulejmani u etiketua si nacionalist nga maqedonasit, por u kualifikuar si ‘i pagdhendur’ edhe nga disa intelektual levantinë buzëhollë shqiptarë. Këta të fundit bënin sehir dhe e ‘analizonin’ nga “Dal Met Fu” (aty ku sot është restoranti “Pelister”) punën e Fadil Sulejmanit duke i gjetur shumë kusure e behane idesë së tij ‘të çmendur’.
Por, Universiteti i Tetovës u bë realitet dhe ai jo vetëm që nuk lindi “foshnje e vdekur”, por nga gjiu i tij dolën dhjetëra gjenerata studentësh, të cilët sot me dijet dhe të arriturat e tyre ia kanë ndërruar fytyrën jo vetëm Tetovës, por mbarë hapësirës ku ata aktualisht veprojnë.
Para 25 vjetëve, Fadil Sulejmani ballafaqohej me shumë probleme. Ai ndër të tjera ballafaqohej edhe me problemin e informimit. Ai nuk kishte madje as ku ti botoj njoftimet që ndërlidheshn me punët përgatitore për themelimin Universitetit. Kishte problem edhe ku të botohej konkursi i parë për studentë.
Mirëpo, ai të gjitha këto probleme i tejkaloi në sajë të mbështetjes së disa kolegëve të gazetarisë. E di se u pat bërë njëfarë hallakame në gazetën ‘Flaka’, ku isha redaktor, rreth botimit të konkursit të studentëve dhe pas një debati të madh brenda dhe një trysnie të vogël nga jashtë ai konkurs u botua.
E di gjithashtu se në atë gazetë u pat botuar (pa pëlqimin tim) një koment antishqiptar i një komentatori maqedonas kundër Universitetit të Tetovës dhe për pasojë unë pata dhënë dorëheqje.Për pak ta pësoja më së keqi nga drejtori i atëhershëm i përgjithshëm Kolemishevski, por shpëtova disi pasi që nuk e zgjata edhe shumë punën në atë gazetë.
Shumë kujt këto kujtime tani i tingëllojnë si referenca personale të një personi që tani iu paska kujtuar të tregojë se çka paska kontribuar për UT-në. Dhe kështu do të ishte sikur në këtë 25 vjetor dikujt nga udhëheqësia e këtij universiteti t’iu ketë kujtuar t’u jep mirënjohje atyre që në ato ditë të vështira, kur ishte në modë me qenë multi-kulti qytetar hibrid shqiptaro-maqedonas, megjithatë ishin në krah të prof. Fadil Sulejmanit dhe nuk e lanë vetëm atë, atëherë kur ishte në modë mos me qenë me të. Me profesorin tim Fadili Sulejmanin atëherë ishte edhe vogëlsia ime, pa i llogaritur pastaj pasojat dhe reperkusionet e këtij akti, që ka qenë shumë normal dhe shumë i vogël me disa të tjerë që nuk kursyen as jetën, as shtëpitë e pronat, por as financat për të mbështetur këtë projekt madhor të shqiptarëve.
Gjithçka do të ishte në rregull, sikur në këtë 25 vjetor të themelimit të Universitetit të Tetovës, t’i jepej mirënjohje edhe gazetares Dijana Toska, e cila atëherë ishte korrespodente e ‘Zërit të Amerikës’ dhe vetëm falë raportit të saj të dërguar natën në Uashington, bota mori vesh se dikund rrëzë Sharrit plak po hedh themelet një ngrehinë arsimore. Drejtuesit e UT-së ndoshta kanë harruar, por ne po ua përkujtojmë se policia e Fërçkovskit atëherë ishte shumë aktive në ndjekjen e punë sonë në terren, kurse ndaj Dijanës morën masat më të vrazhda, duke ia anuluar akreditimin si korrespodente, pas disa orëve qëndrimi në polici dhe pas maltretimeve që i pësoi familja, me çka edhe puna e saj u pat ndërpre dhunshëm mu në kohën kur Fadil Sulejmani kishte ende nevojë për mbështetje mediatike.
Gjithçka do të ishte në rregull sikur në këtë përvjetor do të ishin nderuar me mirënjohje edhe disa nga ministrat e atëhershëm shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe Iljaz Sabriu, i cili ishte apostrofuar atëbotë si i padëshiruar për të qenë në kabinetin e Branko Cërvenkovskit.
Po pra, munguan edhe shumë mirënjohje që duhej tani të ishin pjesë e nderimit dhe respektit ndaj gjithë atyre që ndihmuan dhe sakrifikuan për të qenë Universiteti i Tetovës ky që është tani, madje edhe me emrin e themeluesit të tij – Dr. Fadil Sulejmani. Gjithsesi, drejtuesit e këtij Universiteti mund të kenë ndonjë arsye që nuk e dimë, por publikut i mbeten borxh një sqarim se pse munguan mirënjohjet në këtë 25 vjetor edhe për Gjozef Diogardin, për diplomatin amerikan Xhemjs Pardj dhe për disa kolegë, personalitete e donatorë të ndryshëm që i dhanë jetë Universitetit “Fadil Sulejmani”.
Askush nuk pretendon të lërë nën hije atmosferën festive që mbretëroi në këtë 25 vjetor, po ama Fadil Sulejmani dhe Universiteti i tij nuk ishin vetëm. Çështje për tu diskutuar është se kush i largoi nga rrugëtimi i tij ata që e mbështetën atë?! (koha.mk)