Princ Harry dhe bashkëshortja e tij Meghan Markle kanë bërë katër fluturime me avionë privatë brenda 11 ditësh nga Nica në Ibiza dhe tabloidet e rrjetet sociale shpërthyen. Ata u përballën me akuzat e abuzimit, luksin e tepërt me paratë e taksapaguesve, etj. etj. Në rrethana të tilla, i vënë si me shpatulla pas muri, Princi Harry është detyruar të japë një shpjegim për këto zëra. I ftuar në një panel për prezantimin e një partneriteti të ri në industrinë e udhëtimit, në Amsterdam ai u shpreh se e ka bërë këtë për të mbrojtur familjen e tij.
“Erdha këtu me një linjë ajrore komerciale, siç kam bërë në 99% të rasteve gjatë gjithë jetës sime. Por ndonjëherë është e nevojshme të udhëtosh në kushte të tjera dhe këtë e bëra për të mbrojtur familjen time. Kjo është e gjitha”, u shpreh princi. Ai tha se do të vazhdojë të udhëtojë me linja komerciale, për të reduktuar lëshimin e dioksidit të karbonit në ajër, pasi sipas tij të gjithë munden të bëjnë diçka për planetin, por kësaj here të tilla ishin rrethanat.