U kritikua për faullin ndaj Moratës, Valverde vlerësohet nga e dashura

Mesfushori i Real Madridit, Federiko Valverde, përfundoi në qendër të vëmendjes për shkak të ndërhyrjes së bërë në finalen e Superkupës së Spanjës, ndaj Atletikos, ku “Los Blancos” triumfuan të dielën me 11-metërsha.

Në minutat finale të shtesës, 21-vjeçari uruguaian pengoi qëllimisht Moratën, teksa ky i fundit i drejtohej i vetëm portës së Kurtuasë. Valverde u ndëshkua me karton të kuq, por veprimi i tij rezultoi deciziv në suksesin e Realit.

Të shumtë ishin ata që e konsideruan antisportiv gjestin e mesfushorit, ndërsa e dashura e tij, gazetarja Mina Bonino, ka mendim krejtësisht të kundërt. “Tregove zemër dhe bo…! Urime Fede, jemi kampionë”, shkruan ndër të tjera Bonino në profilin e saj në “Instagram”.