Një 15-vjeçar në Prizren vdiq si pasojë e plagëve të marra nga thika pas një përleshjeje mes pesë të rinjve në këtë komunë. Ngjarjen e konfirmoi edhe Drejtoria Rajonale e Prizrenit, e cila tha se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 10:00. “Sot rreth orës 10:00 në rrugën ‘Ylber Fanaj’ në Prizren, pas një përleshje ndërmjet pesë personave të mitur, njëri nga të miturit i dyshimtë e ka goditur viktimën L.B me mjet të prehtë përkatësisht thikë duke i shkaktuar lëndime serioze që për pasojë viktima ka ndërruar jetë”, u bë e ditur në njoftimin e policisë. Në vendin e ngjarjes doli mjeku kujdestar i emergjencës, i cili konstatoi vdekjen e viktimës. Policia dhe prokurori i shtetit se bashku me forenzikën dolën në vendin e ngjarjes, të cilët kryen edhe ekzaminimin e vendit të krimit. Viktima me urdhër të prokurorit dërgohet për obduksion në IML Prishtinë. Rasti është duke u hetuar nga njësia hetimeve rajonale në Prizren.