Vetë Andi Zeqiri i ka hedhur ‘benzinë zjarrit’. Një foto e xhevahirit të Lausanne Sport me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, para Krishtlindjeve, kishte bërë bujë të mëdhe. Por, a do ta zgjedhë Andi Zeqiri Kosovën pasi në vitet e fundit ka përfaqësuar Zvicrën në grupmoshat U-15, U-16, U-17, U-18, U-19, U-20 dhe U-21? Kjo gjë, megjithatë, ende nuk dihet, shkruan Zëri.info, përcjellë gazeta Koha.
Zeqiri ka zbuluar synimet e tij sot në një intervistë me gazetën e madhe zvicerane ’24 heures’. Sulmuesi që ka shënuar 12 gola që nga fillimi i këtij edicioni në Ligën e Dytë zvicerane, fillimisht ka shpjeguar ‘origjinën’ e fotografisë me Agim Ademin.
“Gjatë pushimeve, unë isha në Prishtinë në të njejtin hotel ku qëndronte Ademi. Atëherë, ne pimë nga një kafe”, ka thënë fillimisht Andi Zeqiri. “Ata donin që të bënim një fotografi dhe menjëherë kjo bëri bujë. Në të njejtën kohë, kjo krijoi edhe një alarm te Zvicra”, tregon më tej sulmuesi nga Kosova.
Për fund, Andi Zeqiri ka larguar dyshimet me një deklaratë të papritur. “Për momentin, jam i përqëndruar te Zvicra”, shtoi ai
Përveç Zeqirit, edhe emrat e Leon Dajakut dhe Meritan Shabanit janë përmendur si afrime të mundshme te Kosova në një të ardhme të afërt.