Në Galerinë kombëtare, në “Çifte Hamamin” e bukur, OH “El Hilal” organizoi takimin e fundit me studentët për këtë vit akademik 2022-23. Me këtë rast, Komisioni i bursave të El Hilalit në krye me z. Etem Xheladini, 25 studentëve u dorëzoi këstin e fundit të bursave. Në këtë ngjarje, përveç studentëve ishte prezent kryetari i El Hilalit, Behixhudin Shehapi, nënkryetari, Talat Sadiku, sekretari, Ali Sadiku dhe anëtari i Këshillit drejtues, Irfan Isaku.
Në fjalimin e vet para studentëve, kryetari Shehapi bëri një retrospektivë të aktiviteteve të El Hilalit duke vënë theksin në projektin programor “Bursa studentore”, i cili aktivitet vazhdon pandërprerë plot 19 vjet, përkatësisht duke filluar nga viti 2004. Ai theksoi faktin se përveç ndihmës financiare që merr studenti, ky projekt është një nder për studentin e përzgjedhur si bursist të organizatës më relevante që motivon dhe rrit ndjenjën e përgjegjësisë për suksese në studime.
Para të pranishmëve me një ligjëratë të shkurtër u prezantua hoxhë Ali Sadiku, sekretar i El Hilalit, i cili potencoi rëndësinë e arsimimit dhe dijes në fenë tonë.
Pas dorëzimit të bursave studentëve të dalluar, ata kaluan edhe disa çaste me udhëheqësit e El Hilalit në ambientet e Çarshisë së Vjetër të Shkupit.