Për nder të festës “Shën Klimenti i Ohrit” në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë sot u dorëzua çmimi shtetëror me të njëjtin emër, për vitin 2018.
Fitues të këtij viti janë punonjësit e arsimit, Kimete Agai dhe Adnan Agai për realizim në sferën e edukimit dhe arsimit, regjisori Vlladimir Millçin, artistja e baletit Emilia Stamenkoviq (Xhipunova) dhe shkrimtari Tomisllav Osmanli në sferën e kulturës dhe artit dhe patofiziologu, specialist në mjekësi nukleare prof.dr. Borisllav Karanfillovski në sferën e shëndetësisë.
Çmimet ua dorëzoi kryetari i Këshillit për ndarjen e çmimit shtetëror “Shën Klimenti i Ohrit”, akademiku Vllada Urosheviq, i cili tha se çmimin e kupton si mundësi të bukur të veprimtarëve në kulturë që t’u kompensohet së paku një pjesë e vogël e asaj që me të vërtetë e kanë merituar.
“Kultura është gjithnjë e më pak e pranishme në mediume. Është koha ta lirojmë kulturën nga komercializimi dhe politizimi. Aduti ynë i vërtetë kryesor në kërkesën për vend të barabartë mes popujve është kultura, nga edukimi dhe arsimimi deri te synimet më të larta të artit. Ndarjen e këtij çmimi e konsideron si kontribut të bukur ndaj tejkalimit të rreziqeve që i kanosen kulturës në Maqedoni”, shtoi Urosheviq.
Në emër të fituesve u falënderua prof.dr. Karanfillski, i cili tha se çmimi është shprehje e mirënjohjes së lartë shoqërore për rezultatet e arritura.
Çmimi “Shën Klimenti i Ohrit” është mirënjohja më e madhe për realizime shumëvjeçare në sferën e edukimit, arsimit, kulturës, artit, shëndetësisë, mbrojtjes dhe avancimit të rrethinës së njeriut dhe në veprimtarinë sociale të interesit publik të Republikës së Maqedonisë.