Para pak ditësh, ai njoftoi dorëheqjen nga drejtimi i ekipit kombëtar italian U-21, pas eliminimit të axurrëve nga Kampionati Europian i kësaj grup-moshe. Luigi Di Biagio tani mendon për një të ardhme në Greqi. Dy skenarë janë të mundshëm: një aventurë në stolin e PAOK-ut të Selanikut, ose një pozicion të ri si trajner i kombëtares së Greqisë.
Sipas njoftimeve të “La Gazzetta dello Sport”, PAOK-u e shikon Di Biagio si zëvendësin e Razvan Lucescu, i cili lëvizi për të drejtuar Al-Hilal. I thirrur për të luajtur në mes të gushtit në raundin e tretë paraprak të Ligës së Kampionëve, klubi grek kërkon të gjejë sa më shpejt një trajner të ri, i cili mund të fillojë të punojë me grupin.
Di Biagio mund të jetë zgjidhja e duhur për selanikasit, me trajnerin romak, i cili, megjithatë, do të duhet të kapërcejë konkurrencën me Abel Ferreira (Sporting Braga), që prej kohësh është shënjestruar nga PAOK. Nëse hipoteza e skuadrës së Selanikut bie poshtë, dyert e ekipit kombëtar grek mund të hapeshin për Di Biagio. Aktualisht, trajneri aktual i helenëve, Anastasiadis, duket të jetë një hap larg largimit nga poizicioni që mban.
Ky largim mund të përshpejtohet nga rezultati i zgjedhjeve të ardhshme politike në Greqi, më 7 korrik. Në rast se Olympiacos do të fitojë një ndikim të ri brenda federatës, stoli i Anastasiadis pothuajse me siguri do të “hidhej në erë”. Një marrëdhënie e vështirë me disa lojtarë dhe stili i lojës, i konsideruar shumë i vjetër, nuk i kënaq udhëheqësit e futbollit grek, ndaj i kanë hedhur sytë nga Di Biagio.