Shkup, 30 korrik – Ushtruesi i detyrës kryetar i Bashkësisë Fetare Islame Reis ul Ulema Shaqir efendi Fetahu, dërgoi porosi me rastin e festës së Kurban Bajramit. Nga shërbimi për informim i BFI-së citojnë se për shkak të asaj që ai është pozitiv me Kovid-19, dhe për shkak të mbrojtjes së ekipeve gazetareske dhe bashkëpunëtorëve të tij, porosia këtë vit është dërguar me telefon.
“Ne vërtetë të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe prej Kurban për hir Zotin tënd! E ska dyshim se urrejtësi yt është farësosur!” (El-Kevther 1-3), me këto fjalë të Librit të shenjtë të Kuranit, u.d. kryetari i BFI-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut Reis ul Ulema Shaqir efendi Fetahu, e filloi urimin dërguar besimtarëve për festën e nesërme Kurban Bajramin. Sipas tij me festimin e kësaj feste besimtarët bashkangjiten me gëzim nga e gjithë bota islame.
“Kjo është festë e madhe, sepse në këto ditë përfundoi shpallja e Kuranit të shenjtë, i cili e plotësoi islamin si religjioni i fundit në historinë e njerëzimit dhe u bë koncept i jetës për të gjitha kohërat, vendet, dhe popujt ku praktikohet. Ajo që e bën këtë festë të jetë më e madhe është që në këto ditë të kësaj feste kryhet shtylla e pestë e islamit – Haxhi, si obligim fetar për çdo mysliman, i cili është i aftë mentalisht, moralisht dhe materialisht”, thotë Reis ul Ulema Shaqir efendi Fetahu.
Ajo që e bën këtë festë ende më të madhe është kryerja e obligimit – që është vaxhib – therrja e Kurbanit nga ana e besimtarëve të cilët kanë mundësi materiale.
“Therrja e Kurbanit nuk është punë e thjeshtë, ritual pa kurrfarë vlere; më saktë, ajo është punë e madhe, me kuptim të pashtershëm. Të ofrosh një flijim do të thotë se besimtari ka gatishmëri të madhe në çdo moment ta shfrytëzojë pasurinë që ia ka dhënë Allahu i Plotfuqishëm në shërbim për ta adhuruar Allahun e Plotfuqishëm. Në të njëjtën kohë therrja e Kurbanit është gjesti më i madh i kujdesit për njeriun, si vepër më e madhe e Zotit, ndërsa shpërndarja e mishit të tij do të thotë solidaritet në vepër që të mbillet gëzim në këtë ditë të madhe te të varfërit, te familjarët, te farefisi, te miqtë, te fqiu, si dhe te të gjithë ata që i kemi përreth pa marë parasysh përkatësinë fetare dhe kombëtare”, potencon Reis ul Ulema Shaqir efendi Fetahu.
Ditët e Kurban Bajramit janë të shënuara, ditë të paharuara për dashurinë ndaj Zotit dhe njeriut. Për atë, le të jetë festë e gëzimit, paqes, solidaritetit, mirëqenies dhe vëllazërisë tonë ndaj njëri tjetrit; festim i pajtimit të përbashkët, respektim të njëri-tjetrit, citon në urimin e tij Reis ul Ulema Shaqir efendi Fetahu.