Lucas Paqueta largohet nga Milani, edhe pse kuqezinjtë kishin pritshmëri të mëdha dhe që në fillim nisën krahasimet me Kaka për stilin e lojës. Braziliani e nisi mirë në fakt, por më pas pësoi një dëmtim dhe “u fik”.
Këtë verë te Milani po mendonin vetëm për shitjen e tij, edhe pse në të ardhmen ai mund të shpërthejë dhe t’i bëjë kuqezinjtë të pendohen për këtë lëvizje. 38 milion eurot e shpenzuara për ta blerë rëndojnë në bilanc dhe në këtë moment duheshin para.
Lyon po e pret Paqueta dhe Sky Sport raporton se mesfushori me tipare sulmuese është përshëndetur me shokët e skuadrës dhe ka mbledhur sendet personale në Milanello.
Nuk ka informacion për momentin se me çfarë kushtesh kalon te klubi francez. Milani me paratë e marrë nga kjo lëvizje synon të afrojë një qendërmbrojtës, që konsiderohet i domosdoshëm.