Ndoshta Maqedonisë në një moment delikat siç ishte ndërrimi i emrit, i nevojitej një falje si ajo që e bëri Zaevi, edhe pse për hir të interesave të larta shtetërore, u rrënua shteti juridik, por qasja selektive ishte e gabuar. Ndoshta qasja më e mirë do të ishte ideja e Lubço Georgievskit, për një falje të përgjithshme, sepse nuk është ndonjë fshehtësi se gjithkush që ka qenë në pushtet, ka pasur përfitime…
Nga Daut DAUTI
Këto ditë më shumë se ndotjen e ajrit, në ajër e ndjejmë duhmën e një shfryrje individuale ose kolektive. Erën e një hataje që ka ndodhur në Parlament, me akuzat e pareshtura në adresë të Talat Xhaferit, që “e shpëtoi” ish kolegun e koalicionit, Trajko Veljanovskin. Pastaj, kur shikon lartë, në ajër pra, e shikon qiellin dhe ai të duket i turbull, dhe nga kjo “vranësi” nuk mund ta shohim qiellin e vërtetë…Por, mund të jetë një tym, apo tymnajë, që ne s’na le të shohim tërësinë e problemit. Sepse, kjo që ndodhi, del të jetë se i ka dalë tymi një mishmashi juridiko-politik të një projekti të domosdoshëm, kur shumëçka u flijua, por shumëkush nga ne nuk e kishte të qartë se ashtu nuk bëhen punët.
Rrimë në Çarshi me një mik dhe komentojmë. Do t’i kushtojë shtrenjtë kjo BDI-së, sepse në sytë e publikut, doli se mbron një të dyshuar për 27 prillin, thotë bashkëbiseduesi. Aq më tepër, kur ai është hiq më pak po një deputet i VMRO-së së “urryer”. Sqarimet që i dha kryeparlamentari në këtë situatë të nxehur për shumëkënd mund të mos ishin shumë bindëse, por nëse debati parlamentar ka dalë jashtë kohës së paraparë, askush prej tij nuk mund të kërkojë që ta shkelë, pavarësisht se do të shpëtonte Trajkoja. Mirëpo, nuk jam i prirë që ta shikoj problemin vetëm nga ai prizëm. Shumëkush ra në këtë grackë dhe harroi disa çështje shumë më të rëndësishme se a do të futet në paraburgim Trajkoja. Maqedonia pat dalë nga kriza politike me ndërrimin e qeverisë, pas zgjedhjeve të parakohshme që ishin të domosdoshme pas zbulimit të përgjimeve të paligjshme dhe veprave të shumta prej tyre. Procesi përfundoi me kompromiset që asnjëherë nuk i kënaqin palët. Gjërat nisën të shthureshin, u ndryshua pushteti dhe sikur u nisën mbarë edhe punët tjera të përgjegjësisë, kurse qeverisja e re erdhi me shpresa për ndryshim në qasje dhe në zgjidhjen e problemeve. Fryma e re u duk me hapat e guximshëm që bëri kjo qeveri e re, por, gjërat nuk kishin ndryshuar aq shumë sa të mos kishte pengesa. Pengesa ishte referendumi për ndryshimin e emrit i bojkotuar nga opozita, që vullnetin e shumicës(që ishte pro ndryshimeve) nuk mundi ta valorizojë si duhet dhe pasoi hapi tjetër, ai i votimit në parlament, ku nuk kishte shumicën e duhur(dy të tretat e votave).
Duke e rrahur këtë çështje, me mikun vijmë në thelbin e problemit, në atë që këtu kohë më parë qe quajtur pajtim, e që në të vërtetë, ishte eufemizëm për fjalën falje. Përvoja me faljet, thotë ai, gjithnjë ka qenë gjithëpërfshirëse. Edhe unë pata shkruar për këtë çështje që në paralajmërimet e para nga kryeministri Zaev. Pata vënë në dukje atë që më dukej më se e logjikshme. E pata përshëndetur si një hap, prapë të guximshëm si ai me Marrëveshjen e Prespës, por i kisha elaboruar disa aspekte diskutabile, sepse më dukej që atëherë se as falësi e as publiku nuk e kishte kuptuar peshën e problemit në parim. Të përkujtoj se falja ishte një përpjekje për të zbutur raportet pushtet-opozitë dhe për të arritur një pajtueshmëri më të madhe sa i përket implementimit të Marrëveshjes së Prespës. Nuk dukej reale që opozita që kishte abstenuar nga referendumi tash të bënte diçka më shumë, prandaj kryeministri Zaev e ofroi pajtimin(faljen) si një mundësi për t’u rreshtuar në projektin madhor shtetëror. Sidomos kur në votimin për nisjen e ndryshimeve ishin rreshtuar tetë deputetë të opozitës(që do të ishin të nevojshme edhe më pas, kur të votoheshin ato ndryshime), u kuptua prapaskena. Në analizat e mia i kisha vënë në dukje disa dilema që më duket se pikërisht tash po reflektohen për të keq. Duke lexuar e dëgjuar se falja do të përfshinte vetëm pjesëmarrësit e dhunës së 27 prillit – ndërkaq ndër tetë deputetët opozitarë kishte dhe të tillë që nuk lidhje me këtë ditë – pata vënë në dukje se nuk është në rregull nëse nuk përshihen në falje edhe personat tjerë të dyshuar për vepra nga pozitat e pushtetit. Një nga ato ishte Elizabeta Kançevska Milevska, sepse projekti “Shkupi 2014” kishte kaluar dhe realizuar me çdo gjë që është problematike, në kohën kur ajo ishte ministre përmes Ministrisë së Kulturës? Me se e bëri për vete shumica parlamentare Kançevskën që të votojë për ndryshime nëse nuk falet edhe ajo vetë? (“Habia” se si disa lëndë procesuohen nuk duhet të na habisin, sepse janë çështje marrëveshjeje për të cilat nuk flitet haptas).Flitet dhe nuk është ndonjë fshehtësi se në sigurimin e 80 votave për ndryshime kushtetuese, ka qenë i angazhuar edhe ish-shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov, i cili poashtu nuk doli askund si i involvuar në ngjarjet e 27 prillit…
Ajo që pasoi me ligjin për t’u falur, ishte jo vetëm që nuk pati falje të përgjithshme për të gjitha veprat që do të çonin drejt një pajtimi të mirëfilltë, ashtu siç mund të ishte bërë, për hir të interesave shtetërore, por nuk u përfshinë as të gjithë personat e involvuar në 27 prillin. Ajo që shumë ekspertë të tjerë të së drejtës e vunë në dukje ishe ajo jokonsekuencë dhe një konfuzion që shkaktoi ky ligj, sepse u liruan deputetë që i kishin hapur dyert e parlamentit që të hynin protestuesit e dhunshëm, ndërkaq mbetën të gjykohen persona që poashtu ishin evidentuar si fajtorë për hapjen e dyerve, ndër ta edhe Feta Alimi i sigurimit të Kuvendit, që ishte për përkujdesur për shpëtimin e Zijadin Selës. Pikërisht ai ngriti zërin këto ditë kur flitej për paraburgimin e Trajko Veljanovskit, si organizator i ngjarjes në fjalë. Ai ngriti zërin me të drejtë, sepse ai qante hallin e vet, sepse në këtë falje selektive, doli se përfituan ata që i kishte bërë për vete pushteti dhe jo edhe ata që ndoshta kishin më pak faj. Në ligj mbeti përgjegjësia për organizatorët, të cilët “u gjetën” pikërisht këtyre ditëve, dy ish-ministra dhe ish-kryeparlamentari. Këtij të fundit duhej t’i hiqej imuniteti që të mund të futej në paraburgim. Por, çështja është prapë te kriteri selektiv. Ta bëj një analogji me aktin më të rëndë, vrasjen: në një vrasje kemi një kryes të veprës dhe një porositës. Kryesi që ka vra njeri, mund të dënohet me 20 vjet burg, sepse ka privuar nga jeta dikë. Por, edhe porositësi mund të dënohet, por në këtë rast, shumë më pak, sepse nuk ka vrarë. Dhe tash kemi dy deputetë që e shfrytëzuan të drejtën e faljes, të cilët kanë kryer veprën kryesore(kanë hapur dyert), ndërkaq nuk falet njëri nga porositësit(Trajko Veljanovski). Duke lënë anësh të gjitha rrethanat për mosvotimin në parlament, unë çështjen kryesore e shoh pikërisht te ky kriter i dyfishtë te ligji për falje i cili e krijoi këtë rast të panevojshëm. Por dhe më tepër, e shoh edhe te falja e cila nuk i përfshiu politikanët në përgjithësi. Jo pse është e drejtë, po pse do të ishte më mirë ashtu, një falje e përgjithshme, se sa falje selektive. Çka “prodhoi” falja selektive? Një, nuk hasi në mirëkuptim te ekspertët e së drejtës. Dy, krijoi konfuzion te organet gjyqësore se si të zbatohet. Tre, që të arrihet te falja e personave të “piketuar”, duhej edhe organet gjyqësore të veprojnë me kute të dyfishta: dikë e lironin nga paraburgimi, të tjerë mbanin. Katër, falja e bërë në mënyrë selektive u kuptua nga publiku i gjerë si qëllim politik, e jo si drejtësi e mirëfilltë. “Habia” gjithnjë e më e madhe në media dhe në publikun e gjerë, s’është gjë tjetër pos një moskuptim se ku është thelbi i problemit. Ne në media dhe në forma tjera të komunikimit vazhdojmë me një histeri e cila ende merret me VMRO-në e zbritur nga skena e pushtetit. Dhe me BDI-në, natyrisht. Prapë një qasje selektive! Sikur fatkeqësia më e madhe për atë që po ndodh tash janë (vetëm) ato dy subjekte. Edhe për dukuritë me të cilat janë përplot faqet e gazetave dhe lajmet e medias elektronike, sikur të jenë bartës vetëm ato.
Qasja selektive në trajtimin e anomalive të keq-qeverisjes ose keqpërdorimeve të pozitës për të bërë favore për të afërmit ose për bashkëpartiakët, s’është “specialitet” vetëm i BDI-së dhe shënjestrimi në të është një diskurs jo parimor. Sepse, nëse VMRO-ja tashmë po “u gëzohet” ditëve të mjerimit të vet opozitar si rezultat i të gjitha bëmave të kaluara, kokëfortësive dhe strategjive të gabuara gjersa ishte në pushtet, sot në pushtet janë LSDM-ja, BDI-ja, Alternativa dhe disa subjekte të vogla, të cilat në këtë ose atë mënyrë marrin pjesë sipas hises së tyre edhe në të mirë e në të keq. Me fjalë të tjera, nepotizmin nuk e ka shpikur BDI-ja që t’i adresohet dikush vetëm asaj, edhe pse nuk mund të thuhet se nuk e ka “hisen” e vet. Vallen, natyrisht, e tërheq subjekti më i madh, LSDM-ja. Mediat kanë informuar edhe për disa dukuri tjera, si ndarja e tenderëve firmave të afërta me pushtetin, po gjithë kritikëve duhet t’u thuhet qartë se më i apostrofuari në këtë çështje ishte ministri kyç për çështje zhvillimore që nuk është i BDI-së.
Këto çështje i përmend për shkak se krijohet bindja se për gjithçka që është e mirë, meritat i ka LSDM-ja dhe gjithçka që nuk bën, i takon BDI-së! U bë zhurmë e madhe për disa lëndë ku janë të dyshuar edhe funksionarë të BDI-së. Të gjithë thirren në drejtësi dhe të gjithë harrojnë se thelbi i sundimit të së drejtës, qëndron te respektimi i ligjeve. Është përfolur mjaft në këtë kontekst mendimi i Gjykatës Supreme se PSP-ja ka ngritur lëndë jashtë afatit ligjor? Shumë ekspertë ndoshta me të drejtë vunë në dukje se kjo gjykatë nuk ka pasur të drejtë të japë këtë lloj mendimi. Por, ku është kuti i vlerësimit në këtë rast? Gjykata Supreme nuk paska të drejtë të japë mendim për një veprim të një instancë tjetër që ka dalë jashtë mandatit të vet? Po si bëheshka ashtu, një ligj që në mënyrë të saktë ka afatizuar veprimet, të zbatohet jashtë atij afati, dhe publiku të bëjë tifo që ai subjekt të bëjë shkelje ligji që të kënaqë kureshtjen për të parë dikë prapa grilave! Licitimi i këtillë krijon huti, sepse nuk është e qartë më se a kërkohet drejtësi sipas ligjeve që i kemi sjellë me një milion mundime si marrëveshje midis subjekteve politike, apo kërkojnë qërim politik të hesapeve përmes drejtësisë?
Kthehem prapë te kuti dhe qasja selektive. Ndoshta Maqedonisë në një moment delikat siç ishte ndërrimi i emrit, i nevojitej një falje si ajo që e bëri Zaevi, edhe pse me këtë, për hir të interesave të larta shtetërore u rrënua shteti juridik, por, qasja selektive ishte e gabuar. Ndoshta qasja më e mirë do të ishte ideja e Lubço Georgievskit, për një falje të përgjithshme, sepse nuk është ndonjë fshehtësi se gjithkush që ka qenë në pushtet, ka pasur përfitime. Pas një faljeje të këtillë, do të duhej të kishte një pakt midis pushtetit dhe opozitës për një fillim të ri nga zeroja dhe pa kthim prapa te anomalitë e vjetra të pushtetit. Prandaj buja rreth mandatit të Trajko Veljanovskit, më duket fare e panevojshme dhe nuk duhet të stërmadhohet, e as të lejohet të “hyjë” midis partnerëve në qeverinë aktuale, sepse ai nuk është shumë më tepër i fajshëm se kolegët e tij të liruar nga fajësia.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)