Twitter nuk ka qenë shumë mjet i popullarizuar social kur është bllokuar në vitin 2009, pas protestave kundër rizgjedhjes së presidentit Mahmud Ahmadinejad. Atëbotë, Facebook dhe YouTube janë konsideruar si mjete të zgjedhura për përhapjen e informacioneve dhe videove në lidhje me protestat kombëtare dhe shtypjen e ashpër që i ka pasuar. Twitter është përdorur më shumë jashtë vendit për të shpërndarë ngjarjet e vitit 2009. Megjithatë, pavarësisht pengesave, ai është bërë gjithnjë e më popullor në mesin e iranianëve, përfshirë zyrtarët konservatorë, të cilët shpesh e cilësojnë si mjet spiunimi i Perëndimit. Ata e përdorin Twitter-in për të arritur te mbështetësit e tyre me deklarata dhe mesazhe dhe për të përhapur propagandë. Javën e kaluar, ministri i Komunikimeve i Iranit, Javad Azari Jahromi, ka thënë se shërbimi nuk duhet të bllokohet tutje, ndërsa Twitter ka deklaruar se është i gatshëm të negociojë për zgjidhjen e “problemeve”. Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të konfirmojë nëse negociatat kanë nisur. Por, sido që të jetë, janë disa emra të mëdhenj iranianë që e kanë përdorur Twitter-in gjatë gjithë kohës. Një nga ta është udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cilësuar shpesh nga mbikëqyrësit e mediave si njëri nga armiqtë kryesorë të internetit. Ai ka llogari në Twitter në disa gjuhë, përshirë: anglishten, farsi, arabishten dhe spanjishten. Ekipi i tij i medias ia poston rregullisht deklaratat, fjalimet dhe fotografitë. Megjithatë, llogaritë e tij në Twitter nuk ndërveprojnë me përdoruesit. Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, po ashtu ka llogari në Twitter në gjuhën farsi për audiencën në Iran dhe në gjuhën angleze, me gjasë për përdoruesit jashtë vendit. Llogaria e tij në farsi ka 514 mijë ndjekës, ndërsa në anglisht 685 mijë ndjekës. Llogaritë që i ndjek Rohani përfshijnë atë të ministrit të Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, të ish-presidentit reformator, Mohammad Khatami, dhe të udhëheqësit suprem, Ajatollah Khamenei. Zarif, ndërkaq, ka llogari në Twitter në gjuhën angleze. Në javët e fundit, ai e ka përdorur rrjetin social për të mbrojtur sjelljen e Iranit në përputhje me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe për të kritikuar komentet e bëra nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Zarif, përmes Twitter-it, po ashtu e ka distancuar veten nga mohimi i Holokaustit që bënte vazhdimisht ish-presidenti Mahmud Ahmadinejad. Ish-presidenti reformator, Khatami, po ashtu ka përdorur shpesh Twitter-in për të shpërndarë deklaratat dhe fjalimet e tij.
Përpara zgjedhjeve të vitit 2016 për Parlamentin dhe Asamblenë e Ekspertëve, Khatami ka lëshuar një video-deklaratë në Twitter, duke iu bërë thirrje mbështetësve të votojnë për kandidatë të moderuar. Shahindokht Molaverdi, ndihmëse e posaçme e presidentit Rohani për të drejtat e njeriut, është ndër autoritetet e rralla në Iran, e cila ndërvepron me përdoruesit në Twitter. Ajo shpesh bën postime për politikat e shtetit dhe arritjet e grave iraniane. Zyrtarët e tjerë iranianë që kanë përdorur gjithnjë Twitter-in përfshijnë edhe nënpresidenten e Iranit për çështje të gruas dhe familjes, Massoumeh Ebtekar, dhe ligjvënësin reformator, Mahmud Sadeghi. (REL)