Shkup, 23 maj – Besoj se qytetarët e Maqedonisë meritojnë procedura të hapura gjyqësore dhe kjo do të jetë pjesa më serioze simbolike e reformave në gjyqësor, sepse në gjyqësinë tonë, zotat në proces janë provat. Nëse nuk ekzistojnë askush nuk është fajtor. Nëse ekzistojnë të gjithë duhet të jenë përgjegjës për atë që është gabuar para ligjit, tha kryeministri Zoran Zaev në duelin televiziv me liderin e partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.
Sipas kryeministrit, sot flitet hapur për gjithçka, si dhe për atë që po ndodh në gjyqësor në vend.
“Besoj se situata nuk është e shkëlqyeshme, ende nuk ka ndryshime të personelit në gjyqësor. Këto janë minimale, të vogla, janë të njëjtët njerëz që me siguri duhet të bëjnë reformën më të madhe në kokën e tyre, duke filluar me ne politikanët, gjyqësorin dhe madje edhe me mediat, administratën shtetërore, komunitetin e biznesit të gjithë. Besoj që reformat do të legalizohen formalisht me ligje, por zbatimi i tyre varet nga njerëzit. Në mënyrë që të kemi implementime cilësore, duhet të kemi transparencë, të jemi të hapur dhe akses për publikun dhe qytetarët. Të gjithë ne përfundimisht u shërbejmë qytetarëve”, tha Zaev.
Ai gjithashtu u fokusua edhe në procesin gjyqësor i cili zhvillohej kundër tij në rastin “Rryshfeti”, për të cilin gjykata shqiptoi lirimin nga aktakuza.
“Procedura që zhvillohej kundër meje ishte tekstualisht e hapur për qytetarët, e ndoqën në mënyrë transparente. Kështu ishte edhe me rastin me ish kryeministrin Gruevski, ndaj rasteve të tjera ku publiku dëshiron të ketë përkushtim dhe vëmendje. Këtë e vlerësoni ju gazetarët, ju jeni atje, në gjykata, nganjëherë me kamera, nganjëherë direkt, në portalet mund të lexoni gjithçka. Unë besoj se gjyqësori në Maqedoni është në rrugë të mbarë për të qenë i pavarur dhe për të ndarë drejtësinë. Ligji në Maqedoni duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë”, tha Zaev.
Mickovski replikoi se ai ishte në një pozitë krejtësisht të pabarabartë me kryeministrin, sepse, tha ai, ai u fal tri herë për krim – një herë nga ish-presidenti i shtetit për rastin Global në Strumicë, për herë të dytë nga PSP në rastin Puç. Ai vuri në dukje se megjithëse ishte premtuar pamjet për rastin ryshfet nuk u janë lëshuar gazetarëve dhe se nëse ka një gjyqësor të pavarur, ai do të dënohej për ryshfet.
“Pavarësia në gjyqësor është një reformë kyçe. Tani kemi një gjyqësi më të varur dhe më të robëruar se kurrë më parë në Maqedoni. Ne kemi një kryeministër shteti që i qëllon aktgjykimet, i cili thotë nëse do të lirohet”, tha Mickovski.
Zaev ka akuzuar opozitën se nuk ka mbledhur forca që të distancohet nga ngjarjet e 27 prillit.
“Unë shpresoj se këto shenja në ballë nuk do t’i ketë më asnjë politikan në Maqedoni. Asnjëherë të mo përsëriten. Ende i përkrahni politikat e tilla, ju nuk mblodhët forcat që të distancoheshit të paktën një herë nga politika të tilla. Askush nuk duhet të ketë shenja të tilla”, tha Zaev.
Sipas tij, nuk ka shkelje të të drejtave të njeriut apo të të drejtave të deputetëve gjatë zhvillimit të procedurës, pasi që Ministria e Punëve të Brendshme vepron sipas një urdhri të gjykatës në pajtim me një rregullore që përcakton qartë se si të procedurohet.