Tusk për “Gardian”: BE bëri gabim të madh, veçmas ndaj Shkupit

8

Londër, 6 dhjetor – Bregziti është një nga gabimet më spektakolare në historinë e BE-së, por gabim i madh është edhe “jo”-ja franceze për liderët e Ballkanit Perëndimor veçmas për Shkupin, konsideron Donalld Tusk në intervistën e parë pas largimit nga funksioni kryetar i Këshillit Evropian.

Tusk i cili mburret me njohuri për historinë evropiane, ka qenë kritik edhe për refuzimin e Makronit të hapë bisedime me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Mendoj se është bërë një gabim i madh strategjik dhe politik…, pas kaq shumë përpjekjesh dhe sakrificë, veçmas në Shkup”, ka thënë Tusk i cili pas largimit nga pozicioni lider në Këshillin e BE-së është zgjedhur për kryetar të ri të Partisë Popullore Evropiane (PPE), grupacion më me numër në Parlamentin Evropian.

“JO”-ja franceze i ka detyruar liderët e rajonit të dëshpërohen, përfshirë edhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i cili i ka kundërshtuar nacionalistët për t’i dhënë fund kontestit të gjatë me emrin me Greqinë, thekson “Gardian”.

Ai e ka krahasuar Makronin me Angela Merkelin e cila angazhohet për integrim të gjashtë vendeve nga Ballkani Perëndimor.

“Përparësia e saj e vetme ka qenë ajo që çdoherë ka qenë e përgatitur të mendojë për Evropë si tërësi. Dhe ajo ishte e gatshme të sakrifikojë ndonjë interes të brendshëm ose kombëtar që ta mbrojë Evropën si tërësi. Nga ana tjetër, nëse duam ta trajtojmë Makronin si lider të mbarë Evropës, politikisht, atëherë na duhet një politikan që ndjehet përgjegjës para BE-së si tërësi, jo vetëm për Francën”, ka thënë Tusk në intervistën për “Gardian”.

Comments are closed.