Presidenti i Këshillit Evropian ua ka tërhequr vërejtjen deputetëve britanikë se nëse ata nuk e mbështesin marrëveshjen për tërheqje të Britanisë së Madhe nga BE-ja, vendi do të tërhiqet pa marrëveshje ose do të vazhdojë të mbetet në Bashkimin Evropian.
Ai tha se dëshiron që ta bëjë të qartë se marrëveshja e nënshkruar është e vetmja e mundshme, pas spekulimeve se kryeministrja britanike mund ta rinegociojë marrëveshjen ose deputetët mund ta kërkojnë një status të ngjashëm me statusin e Norvegjisë.
Ky paralajmërim vjen pas publikimit të parashikimeve të Bankës së Anglisë se shkëputja e vendit nga BE-ja pa marrëveshje do të kishte ndikim të tmerrshëm në të ardhurat e popullsisë. Duke folur në samitin e G20-ës në Argjentinë, Tuski tha se marrëveshja mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian është një divorc i organizuar.
“Disa ditë para votimit në parlament, po bëhet më e qartë se kjo marrëveshje është më e mira e mundshme. Nëse deputetët e refuzojnë atë, e tëra që na mbetet është tërheqja pa marrëveshje ose mbetja në BE. Dua t’ju siguroj se BE-ja është e përgatitur për çdo lloj skenari”, tha Donald Tusk, shkruan “Independent”, transmeton Express.