Për Presidentin e Këshillit Europian progresi i bërë nga Shqipëria është i mjaftueshëm për hapjen e negociatave, por thotë se mbetet sfidë bindja e të gjitha vendeve anëtare për të dhënë “dritën jeshile” për këtë.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Presidenti i Këshillit, pasi përgëzoi popullin shqiptar për rekomandimin e Komisionit Europian, deklaroi se vendi “do të ketë shumë sfida dhe punë të madhe, duke nisur nga shteti i së drejtës, lufta kundër krimit të organizuar dhe reforma në drejtësi”.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama tha se integrimi kërkon kohë, ndërsa falenderoi Tusk për mbështetjen e dhënë në këtë drejtim dhe e njohu atë edhe me ecurinë e reformës në drejtësi.
“Ne do të ndërtojmë Shqipërinë europiane në Shqipëri. Është një proces që kërkon kohë dhe që e kërkon interesi i fëmijëve tanë. Me Presidentin, që është njohës i thellë i rajonit, folëm për procesin e thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe nënvizova se ky proces transformues për rajonin është i lidhur me perspektivën europiane të vendeve të rajonit. Diskutuam edhe për ecurinë e mëtejshme të reformës në drejtësi”, u shpreh ai.
Top Channel