Tusk: BE nuk duhet ta braktisë anulimin e Brexitit

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk deklaroi se blloku nuk duhet të ngutet, për shkak të një lodhjeje nga ky proces.

Liderë francezë dhe gjermanë kanë sinjalizuar se nuk kanë vullnet për të ofruar një zgjatje tjetër të afatit, por në përshkrimin e samitit të javës së kaluar të BE për Brexitin, Tusk deklaroi se askush nuk duhet ta braktisë “ëndrrën” se Britania e Madhe mund ta kthejë pas kursin e saj, përcjellë KOHA.

Ai kërkoi nga politikanët e BE që të mos japin nxitje për një dalje të shpejtë të Britanisë thjesht nga rraskapitja.”Në këtë moment të vështirë në historinë tonë, na nevojiten ëndërrimtarë dhe ëndrra. Ne nuk mund t’i dorëzohemi fatalizmit. Të paktën unë nuk do të ndaloj së ëndërruari për një Evropë më të mirë dhe të bashkuar”, është shprehur ai.

Tusku nuk përmendi me emër liderë të caktuar, por Presidenti francez Emmanuel Macron e bëri të qartë në samit se preferonte që t’i jepte vetëm pak javë Britanisë së Madhe për t’i mbyllur negociatat, në dallim nga gjashtë muajt, që iu dhanë. Edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas theksoi të martën se Britania e Madhe nuk duhet të presë që t’i jepet një shtyrje tjetër. Sipas tij, çdo kërkesë e tillë do të lexohet si dëshirë për të qëndruar në BE. (koha.mk)