Delvina KËRLUKU
Asibe Tusha e lindur në Shkup, që në moshë të hershme, ka filluar të merret me kreacione të modës. Ka kryer shkollimin në Universitetin “Koço Racin”, në Shkup më pas specializimin në “Fashion Federation – Paris-Francë”. Deri më tani ka realizuar dhe punuar për një numër të madh të emrave të njohur në vend dhe më gjerë, ka realizuar një numër të madh të sfilatave kolektive. Tani po punon dhe vepron si e pavarur.
KOHA: Znj. Tusha, keni mjeshtri për dizajnin e modës së veshjeve. Në shtëpitë shqiptare nënat tona janë marrë me artizanatet, pra me qëndisje. Ky profesion është trashëguar nga prindërit , apo është një dëshirë , të cilën ndonjëherë e quajmë dhunti e Zotit?
TUSHA: Po, është ky një profesion që gjithmonë është me trendet bashkëkohore dhe fatmirësisht në familjen time janë marrë me profesione të tilla siç janë artizanatet e vjetra. Por, unë kam fat që rrjedh prej një familje që janë marrë me artizanat. Nëna ime është marrë me punime të tilla, mirëpo dhe daja im, disenjatori Izet Curri, një disenjator i njohur si ne tregun tonë, por dhe me gjerë. Unë kam fatin ta kem dajë dhe tani edhe partner në këtë rrugëtim të modës dhe të bashkëpunoj me të.
KOHA: Ju keni studiuar në Paris. Ky vend nuk mbahet vetëm si kryeqyteti i dashurisë , por edhe i modës. Cila është historia e juaj që ju çoi në Paris?
TUSHA: Përmenda edhe pak më lartë që rrugëtimi im në këtë sferë apo hapat e mia të para janë që nga familja ime, e cila më dha dhe mbështetjen në këtë drejtim. Pikërisht daja im, Izet Curri, më mundësoi që unë t’i kryej trajnimet dhe specializimet e mia mu në qendër të Parisit.
KOHA: Parisi na ka treguar ndër vite se është një nga qytetet ku kanë lindur tendencat më të mëdha të modës, të ndjekura më pas nga e gjithë bota. Edhe juve këtë jua mësoi?
TUSHA: Po, sigurisht.., pasi që nga ky vend kanë dalë dhe shumë disenjatorë të njohur dhe mua më mësoi të krijoj atë sensin në lidhje me modën.
KOHA: Rinia jonë pretendon vendet evropiane, ndërsa ju pas studimeve jeni kthyer ne vendlindje. Çfarë flet për Ju Shkupi?
TUSHA: Po pasi që Shkupi është vendlindja ime dhe këtu unë kam marrë hapat e para nga familja ime, desha që këtu të jap atë kontributin tim në shoqërinë tonë në lidhje me modën.
KOHA: Jeni një dekadë në tregun e dizajnit të modës së veshjeve. Çfarë do të thotë për ju si disenjatore, një shndërrim i personit leckaman në një person që shkel në qilim të kuq?
TUSHA: Po kjo është dhe detyra jonë e disenjatorit, që një personi t’i japim ide dhe ta bëjmë të gatshëm që ai apo ajo të shkel në tepihun e kuq.
KOHA: Si mund të përshkruani jetën tuaj në rrugën që e keni zgjedhur?
TUSHA: Sigurisht që nuk ka qenë dhe aq e lehtë, mirëpo nga ajo që kam arritur jam e kënaqur dhe mund të them që gjithë ai mund ia vlen.
KOHA: Cilët janë bashkëpunimet tuaj me disenjatorët tjerë?
TUSHA:Unë punoj dhe veproj si e pavarur, mirëpo me disenjatorët që njoh kam raporte dhe bashkëpunime të mirëfillta.
KOHA: Për të arritur produktin final, nevojitet përkushtim shpirtëror, por dhe material. Ku furnizoheni me materialet?
TUSHA: Po, për të harmonizuar dhe përfunduar një punë apo një kreacion të mirëfilltë, të duhet përkushtim maksimal. Përveç mundit që bëjmë, me material kualitativ furnizohemi si në vend, por dhe jashtë vendit.
KOHA: Çfarë do të thotë të ndjekësh modën? Sa afër modës jeni ju dhe sa larg modës janë femrat shqiptare të Maqedonisë?
TUSHA: Të ndjekësh modën kushton, mirëpo mendoj që është në pyetje edhe shija, ndonjëherë dhe me material me çmime të volitshme për tregun tonë, mund të bëjmë diçka të bukur. Unë mundohem të bëjë gjëra të bukura për veten dhe për femrat shqiptare, mundohem të ndjek trendet dhe besoj që mbaj disa nga brendet e njohura… E për femrat në Maqedoni, më saktësisht në shoqërinë tonë ka nga ato që ndjekin, por ka nga ata që nuk mund të bëjnë dallimin nga veshjet e ditës me ato të natës, nga veshjet zyrtare nga ato më të “përditshme”, mendoj që secila duhet të krijoje atë stilin e vetë për vendin dhe rastin e duhur.
KOHA: Mund të më përshkruani, cilat janë punimet tuaja dhe kujt nga personalitet ia keni ofruar punën tuaj të dorës?
TUSHA: Deri me tani kam bërë punime dhe kreacione për emra të njohur nga Maqedonia si dhe për institucione kulturore në vend .
KOHA: Të ushtrosh artin, veçmas me dizajn, kërkon përkushtim. Sa ndani kohë për familjen, miqtë etj?
TUSHA: Të merresh me profesionin e dizajnit, të duhet përkushtim i madh. Unë kam një angazhim tejet të madh, pasi që merrem me një numër të madh të kreacioneve dhe nuk më mjafton koha, mirëpo ajo kohë që më ngelet nuk i anashkaloj miqtë, familjarët pa mos i vizituar qoftë për një drekë a darkë apo një kafe, për njerëzit e shpirtit gjithmonë mundohem të gjejë kohë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.