Studentët që do të diplomojnë nesër do të dalin me dije të cunguara, jo për fajin tyre, por për papërgjegjshmërinë e profesorëve të cilët, në ndonjë rrethanë më normale ndoshta nuk do ta kishin pasur vendin nëpër universitete. Përpara (para tri dekadave) kur ka pasur kritere, profesorët e tillë (si disa që po i shohim tani) kanë mundur të punojnë vetëm magazionerë, ndezës të stufave të fakulteteve dhe ndonjë administrator i fotokopjeve. Asgjë më tepër
Nga Emin AZEMI
Një dukuri e shëmtuar, që tash më është bërë shprehi, e që mbetet e patrajtuar sa duhet nga mediat, vazhdon të fshihet dikund skutave neglizhuese të disa universiteteve tona. Ka ende plotë profesorë që vazhdojnë të jenë të padisiplinuar dhe aspak korrekt në raport me studentët, sidomos kur janë në pyetje provimet. Ndodhë që provimi të anulohet dhe për këtë të mos njoftohen studentët. Ndodhë që të mbahen provimet dhe rezultatet të mos shpallen fare, ose të shpallen me 2 muaj vonesë(!).
Këso far majmunllëqesh të profesorëve para disa dekadave nuk ka pasur. Ata që kanë studiuar në universitetet shtetërore në Shkup, Prishtinë, Zagreb e gjetiu, nuk mbajnë mend të ketë pasur kaq papërgjegjësi nga ana e profesorëve.
Dimensioni tragjik i këtij problem qëndron në faktin se studentët kanë frikë t’i denoncojnë profesorët e tyre. Ata kanë frikë t’i denoncojnë edhe ata profesorë që mbajnë nga tri-katër lëndë, por edhe ata që kushtëzojnë studentët t’ua blejnë librat e tyre. Thua se kushedi çfarë librash na qenkan ato. Sigurisht profesorët e mjerë që tregohen kaq mizorë ndaj studentëve të tyre, vuajnë nga kompleksi i inferioritetit që kanë pasur gjatë studimeve, atëherë kur mezi kanë kaluar provimet me një gjashtëshe të lodhtë. Tani kur janë bë turravrap profesorë, pas intervenimeve që ka bë sherifi lokal i partisë, harrojnë të kaluarën e tyre me plot telashe studentore dhe brenda natës bëhen njerëz të disiplinës, që as miza nuk guxon t’iu bëjë zhurmë kur ata flasin. Në fakt ata si rrallë flasin sepse në ligjërata mungojnë nga tri, katër javë dhe mungesën e tyre mundohen ta kompensojnë disa asistentë, të cilët aktrojnë rolin e profesorit.
Nëpër disa fakultete tona para disa viteve pati profesorë të angazhuar edhe nga Prishtina dhe Tirana. Ata tani nuk i ke askund. Në vend të tyre erdhën profesorët vendorë (çdo respekt për ndonjë rast përjashtues) dhe duke dashur të zaptojnë sa më shumë lëndë (nga tri,katër) të gjorët nuk po arrijnë të bëhen as hija e profesorëve të Prishtinës e Tiranës.
Kjo politikë universitare e dëbimit të profesorëve me përvojë dhe angazhimit të çunakëve e vajzusheve që avancimet akademike-shkencore i bëjnë duke vrapu, me turr e vrap po zënë pozita monopolizuese dhe me nga tri, katër lëndë të zaptuara mundohen të na bindin se kështu bëhet universiteti. Si do të munden këta turravrap profesorë të tregojnë efikasitet akademik në auditorët e mësimit dhe si do të arrijnë t’i notojnë studentët, duke qenë njëkohësisht edhe korrekt, edhe objektiv, edhe të disiplinuar?
Në këtë pyetje përgjigjen vetë studentët. Ata thonë se ka prej profesorëve që nga tri, katër javë nuk duken në fakultet. Ka prej profesorëve që më tepër janë të angazhuar nëpër udhëtime, në work shope dhe nëpër kaladredhime, se sa në ligjërata, aty ku edhe e marrin rrogën. Studentët ankohen se këta profesorët madje harrojnë të vinë në provime, por edhe nëse vine, harrojnë të shpallin rezultatet e notimit.
Një rend për gjithë ata që duan të jenë jashtë rendit, ka nevojë të ndodhë sa më shpejt nëpër universitetet tona. Studentët që do të diplomojnë nesër do të dalin me dije të cunguara, jo për fajin tyre, por për papërgjegjshmërinë e profesorëve të cilët, në ndonjë rrethanë më normale ndoshta nuk do ta kishin pasur vendin nëpër universitete. Përpara (para tri dekadave) kur ka pasur kritere, profesorët e tillë (si disa që po i shohim tani) kanë mundur të punojnë vetëm magazionerë, ndezës të stufave të fakulteteve dhe ndonjë administrator i fotokopjeve. Asgjë më tepër. (koha.mk)