Turqia sot shënoi Ditën Botërore të Refugjatëve, duke bërë thirrje për solidaritet më të madh ndërkombëtar për të trajtuar problemet e njerëzve të zhvendosur me forcë anembanë globit, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Me rastin e 20 Qershorit, Ditës Botërore të Refugjatëve, ne shpresojmë të rrisim vetëdijen për problemet me të cilat përballen personat e zhvendosur me forcë dhe të forcojmë solidaritetin ndërkombëtar për të zgjidhur këto probleme”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë.
Në deklaratë vihet në dukje se çdo vit dhjetëra mijëra njerëz në mbarë botën detyrohen të largohen nga shtëpitë dhe tokat e tyre për shkak të çështjeve të sigurisë dhe stabilitetit, si dhe konfliktet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.
Duke iu referuar Turqisë me rreth 3,6 milionë refugjatë sirianë, në deklaratë thuhet: “Vendi ynë, i cili në të kaluarën ishte burimi dhe pozita tranzitore e lëvizjeve të refugjatëve dhe migrantëve, kohët e fundit është bërë destinacion me ekonominë e saj në zhvillim. Pra, Turqia sot është vendi që strehon më shumë refugjatë në botë”.
Ministria shtoi se çështja e refugjatëve mund të menaxhohet më mirë përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe se përpjekjet e Turqisë për të përmirësuar situatën e refugjatëve në vend janë lavdëruar nga bashkësia ndërkombëtare.
Gjithashtu, ministria u bëri thirrje vendeve pranë krizave që shkaktojnë valë refugjatësh dhe palëve të tjera relevante të shfaqin vullnet të sinqertë politik për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemet.
“Në këtë kuadër, vendi ynë kontribuon në mënyrë aktive në punën për të përgatitur Kompaktin Global mbi Refugjatët brenda trupit të OKB-së dhe është ndër vendet udhëheqëse që drejtojnë procesin”, thuhet më tej në deklaratë.
Ngjashëm, Ministria turke e Çështjeve të Bashkimit Evropian publikoi një deklaratë për Ditën Botërore të Refugjatëve, duke e quajtur migrimin si çështjen më serioze të shekullit tonë, pasi gati 65,6 milionë njerëz janë zhvendosur me forcë në të gjithë globin për shkak të luftrave dhe paqëndrueshmërisë në vazhdim.
Duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2016 mes Turqisë dhe BE-së për të trajtuar krizën e migrantëve dhe refugjatëve, në deklaratë thuhet se “Për shkak të këtij bashkëpunimi, vdekjet në Detin Egje kanë rënë ndjeshëm”.
Ministria gjithashtu akuzoi disa shtete anëtare të BE-së për shpërfilljen e detyrimeve të tyre ndërkombëtare të mbrojtjes dhe për “ndërtimin e mureve kundër të drejtave për azil”.
“Sistemi i vlerave mbi të cilat ndërtohet Bashkimi Evropian është ballafaquar me provën e tij më të rëndësishme me krizën e refugjatëve dhe, fatkeqësisht, shumë nga vendet e BE-së nuk kanë arritur t’i përgjigjen kësaj krize humanitare në përputhje me vlerat universale të njeriut”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Deklarata gjithashtu i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të gjejë zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe më konstruktive për refugjatët.