Turqia sot feston 96-vjetorin e Ditës së Fitores dhe Ditës së Forcave të Armatosura Turke, dita kur ushtarët turq arritën të triumfojnë në një betejë vendimtare ndaj forcave greke në Luftën për Pavarësi, raporton Anadolu Agency (AA).
Festa shënohet me evenimente dhe tubime nëpër qytete të ndryshme të vendit me pjesëmarrje të zyrtarëve shtetërorë.
Në kuadër të festimeve, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan mori pjesë në ceremoninë tradicionale në mauzoleun e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Turqisë, në Ankara.
Në ceremoni morën pjesë edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, si kryetari i Parlamentit Binali Yıldırım, zv/presidenti Fuat Oktay, shefi i Shtatmadhorisë Yaşar Güler, kryetari i partisë CHP Kemal Kılıçdaroğlu, kryetari i partisë MHP Devlet Bahçeli, ministra dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.
Pas intonimit të himnit turk dhe vendosjes së kurorës, Erdoğan lexoi tekstin që shkroi në librin e kujtimeve të mauzoleut.
“Sot përkujtojmë me krenari të madhe 96-vjetorin e Fitores së Madhe, që është lajmëtar i pavarësisë sonë. Kjo fitore, e cila është fryt i një lufte epike, pavarasisht të gjitha varfërive, vështirësive dhe mangësive, është kryer nën udhëheqjen e kryekomandantit të luftës çlirimtare”, tha Erdoğan.
“Populli turk me frymëzimin e marrë ashtu sikurse 96 vite më parë nga sakrificat e dëshmorëve tanë, guximi i veteranëve dhe vlerat mijëravjeçare, edhe sot mbron me jetë të ardhmen e tij. Rritja e kërcënimeve, shkeljeve dhe sulmeve ndaj sovranitetit të vendit tonë në kohët e fundit nuk do të na pengojë kurrë nga idealet dhe qëllimet tona”, shtoi presidenti turk.
Ceremonia u ndoq gjithashtu nga një numër i madh qytetarësh.
Erdoğan po ashtu pranoi urime me rastin e festës në Kompleksin Presidencial në Ankara, ndërsa më vonë do të marrë pjesë në një ceremoni diplomimi të shkollave ushtarake. Më pas, ai do të organizojë pritje solemne në presidencë.
Tubime organizohen edhe në sheshin Taksim të Stambollit.
Presidenti Erdoğan dje publikoi një mesazh me rastin e Festës së Fitores, duke thënë se Turqia është në prag të fitoreve dhe sukseseve të reja
Ndryshe, Dita e Fitores shënon betejën përfundimtare kundër forcave greke në Dumlupinar në vitin 1922 dhe i dedikohet forcave të armatosura turke.