Stamboll, 4 qershor – Turqia sot i ka hapur kufijtë e saj me Iranin dhe Irakun për qarkullimin transportues, pasi më shumë se tre muaj janë mbyllur për shkak të rrezikut nga përhapja e koronavirusit, njofton DPA.
“Kufijtë, duke i përfshirë edhe vendkalimet kryesore në Habur, drejt Irakut dhe Gurbalak, ndaj Iranit, sërish janë hapur”, deklaroi ministri i Tregtisë, Ruhsar Peçan në Tuiter, duke iu referuar “ndikimeve të zvogëluara të pandemisë në dy vende fqinje”.
Mbesin të domosdoshme masat shëndetësore dhe të sigurisë në vendkalimet kufitare, shtoi Peçan.
Irani dhe Iraku mbesin dy partnerët kyç tregtarë për Turqinë edhe krahas uljes relative të vëllimit të tregtisë me Iranin vitin e kaluar, thekson agjencia gjermane.
Turqia e ka mbyllur kufirin me Iranin më 23 shkurt, pas rritjes drastike të rasteve me koronavirus. Më pak se një javë më vonë, kufiri turk me Irakun, gjithashtu, u mbyll.
Turqia më 11 mars e konfirmoi rastin e saj të parë me koronavirus dhe prej atëherë, vendi kumtoi për 4.609 raste të vdekjes nga Kovid-19 dhe pothuajse 166.500 të infektuar, përkujton DPA.