Liderët e Turqisë, Rusisë dhe Iranit sot kanë shprehur përkushtimin ndaj “sovranitetit, pavarësisë, unitetit dhe integritetit territorial” të Sirisë së shkatërruar nga lufta, transmeton Anadolu Agency (AA).
Recep Tayyip Erdoğan, Vladimir Putin dhe Hassan Rouhani publikuan një deklaratë me 14 pika pas video-konferencës së përbashkët ku diskutuan situatën aktuale në Siri.
Udhëheqësit rishikuan zhvillimet pas takimit të tyre të fundit në Ankara në shtatorin e kaluar dhe “ritheksuan vendosmërinë e tyre për të forcuar koordinimin trepalësh në përputhje me marrëveshjen e tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Liderët gjithashtu “theksuan përkushtimin e tyre të fuqishëm për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Republikës Arabe Siriane, si dhe për qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së”, thuhet në deklaratë.
Ata gjithashtu deklaruan se “këto parime duhet të respektohen në mënyrë universale dhe asnjë veprim, pavarësisht se nga kush është ndërmarrë, nuk duhet t’i shkelë parimet”.
Udhëheqësit “hodhën poshtë të gjitha përpjekjet për të krijuar realitete të reja në terren nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit, përfshirë iniciativat e paligjshme të vetëqeverisjes, si dhe shprehën vendosmërinë e tyre për të qëndruar kundër agjendave separatiste që synojnë dëmtimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë, si dhe kërcënojnë sigurinë kombëtare të vendeve fqinje”.
Ata gjithashtu “diskutuan situatën në verilindje të Sirisë, theksuan se siguria dhe stabiliteti në këtë rajon mund të arrihen vetëm në bazë të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit dhe u pajtuan që të koordinojnë përpjekjet e tyre për këtë qëllim, si dhe shprehën kundërshtimin e tyre për konfiskimin e paligjshëm dhe transferimin e të ardhurave nga nafta që duhet t’i përkasin Republikës Arabe Siriane”.
Sipas deklaratës, liderët “riafirmuan vendosmërinë për të vazhduar bashkëpunimin në mënyrë që të eliminojnë përfundimisht DEASH-in, Frontin Al-Nusra dhe të gjithë individët, grupet dhe entitetet e lidhura me Al-Kaedën ose DEASH-in, si dhe grupet e tjera terroriste të përcaktuara nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, përderisa të sigurohet mbrojtje e civilëve dhe infrastrukturës civile në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar”.
Zona e deeskalimit në Idlib
Duke iu referuar Idlibit në veriperëndim të Sirisë, provincë e cila është përfshirë në një marrëveshje armëpushimi mes Turqisë dhe Rusisë, udhëheqësit po ashtu “rishikuan në detaje situatën në zonën e deeskalimit të Idlibit dhe nënvizuan domosdoshmërinë për të ruajtur qetësinë në terren duke zbatuar plotësisht të gjitha marrëveshjet për Idlibin”.
Ata “shprehën shqetësim të madh për situatën humanitare në Siri dhe ndikimin e pandemisë COVID-19, duke pranuar se pandemia paraqet një sfidë të thellë për sistemin shëndetësor të Sirisë, për situatën socio-ekonomike dhe humanitare”.
Në deklaratë thuhet se liderët “kundërshtuan të gjitha sanksionet e njëanshme që janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, ligjin ndërkombëtar humanitar dhe Kartën e OKB-së, veçanërisht në kohën e pandemisë COVID-19”.
Në pikat e tjera në deklaratës, presidentët gjithashtu:
– Theksuan, në këtë drejtim, nevojën kritike për të siguruar qasje të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar humanitare në gjithë Sirinë në mënyrë që të lehtësohen vuajtjet e popullit sirian, dhe i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht OKB-së dhe agjencive të saj humanitare, të rrisin ndihmën e tyre për të gjithë sirianët pa diskriminim, politizim dhe parakushte.
– Riafirmuan bindjen e tyre se nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për konfliktin sirian dhe se ai mund të zgjidhet vetëm përmes procesit politik të udhëhequr nga Siria dhe në pronësi të Sirisë, të ndihmuar nga OKB, në përputhje me Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në këtë drejtim, theksuan rolin e rëndësishëm të Komitetit Kushtetues në Gjenevë, të krijuar si rezultat i kontributit vendimtar të garantuesve të Astanas dhe zbatimit të vendimeve të Kongresit Kombëtar të Dialogut Sirian në Soçi.
Komiteti Kushtetues do të rikthehet në gusht
Liderët e tre vendeve gjithashtu “mirëpritën marrëveshjen për të mbajtur takimin e tretë të Komitetit Kushtetues në gusht të vitit 2020 dhe riafirmuan gatishmërinë për të mbështetur punën e tij përmes ndërveprimit të vazhdueshëm me anëtarët e tij dhe të dërguarit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Sirinë, Geir O. Pedersen, si lehtësues, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i tij i qëndrueshëm dhe efektiv”.
Puna e komitetit, i ngarkuar me hartimin e një kushtetute të re për Sirinë, u shty nëntorin e kaluar pas mosmarrëveshjeve midis anëtarëve të regjimit dhe opozitës.
Udhëheqësit më tej “riafirmuan vendosmërinë e tyre për të vazhduar operacionet për lirimin e ndërsjellë të të arrestuarve brenda kornizës së Grupit Punues përkatës të formatit Astana. Theksuan se Grupi i Punës ishte një mekanizëm unik, i cili kishte vërtetuar të ishte efektiv dhe i domosdoshëm për ndërtimin e besimit midis palëve siriane, si dhe ranë dakord të ndërmarrin masa për të vazhduar punën e tij”.
Ata “theksuan nevojën për të lehtësuar kthimin e sigurt dhe të vullnetshëm të refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit në vendbanimet e tyre në Siri, duke siguruar të drejtën e tyre për t’u kthyer dhe të drejtën për t’u mbështetur”, thuhet në deklaratë.
Turqia, Rusia dhe Irani përmes deklaratës i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të sigurojë kontribute të përshtatshme për rivendosjen e tyre dhe jetën normale, si dhe të marrë përsipër përgjegjësi më të mëdha dhe të përmirësojë ndihmën e tyre për Sirinë, ndër të tjera duke zhvilluar projekte të rimëkëmbjes së hershme, përfshirë asetet themelore të infrastrukturës, objektet e furnizimit me ujë dhe energji elektrike, shkollat dhe spitalet, si dhe aksion humanitar për pastrimin e minave dhe pasojave të tyre”.
Izraeli dhe Lartësirat e Golanit
Duke iu referuar veptimit të SHBA-së e cila vitin e kaluar njohu aneksimin e paligjshëm izraelit të Lartësirave të Golanit në Siri, deklarata “riafirmoi domosdoshmërinë për të respektuar vendimet juridike ndërkombëtare të njohura botërisht, duke përfshirë ato dispozita të rezolutave përkatëse të OKB-së që hedhin poshtë okupimin e Golanit sirian, para së gjithash dhe më kryesorja Rezoluta 497 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke dënuar kështu vendimin e administratës amerikane për Golanin e okupuar sirian, i cili përbën një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar dhe kërcënon paqen dhe sigurinë rajonale”.
“Ata i konsiderojnë sulmet ushtarake izraelite në Siri si destabilizuese dhe shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të këtij vendi, si dhe si nxitëse të tensionit në rajon”, thuhet në deklaratë.
Udhëheqësit konfirmuan qëllimin e tyre për të “forcuar koordinimin trepalësh në fusha të ndryshme në mënyrë që të promovojnë bashkëpunimin e përbashkët ekonomik” dhe “ranë dakord t’i caktojnë përfaqësuesit e tyre me detyrën e mbajtjes së Takimit të ardhshëm Ndërkombëtar mbi Sirinë në formatin Astana sa më shpejt të jetë e mundur.”
Sipas deklaratës, samiti i ardhshëm trepalësh do të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur në Iran me ftesë të presidentit Hassan Rouhani.
Siria ka qenë e përfshirë në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Asadit shtypi protestat prodemokratike në vend.
Sipas të dhënave të OKB-së, që atëherë, qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë të tjerë janë shpërngulur.