Shkup, 21 shkurt – Menjëherë pas formimit të Qeverisë në Maqedoni, do të shënojnë progres në luftën kundër FETO-s. Ne do të jemi në anën e gjithkujt që qëndron kundër strukturës FETO. Kështu ka thënë ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tulin Erkal Kara, e cila në një intervistë për Anadolu Agency (AA), ka rikujtuar se Turqia prioritet ka, siç ka thënë ajo, luftën kundër strukturave të ashtuquajtura FETO. “Menjëherë pas formimit të Qeverisë në Maqedoni, do të shënojnë progres në luftën kundër FETO-s. Ne do të jemi në anën e gjithkujt që qëndron kundër strukturës FETO. I dimë një nga një të gjitha institucionet që kanë lidhje me FETO-n. Luftën e kemi filluar në mënyrë primare që këtu. Në këtë vend, organizata ka shtatë shkolla, gazetën me emrin Zaman dhe organizata tregtare. Po ashtu, këtu ka edhe kompani dhe institucione shumë të rëndësishme të Turqisë, ndërsa ne kemi gjetur se ata janë infiltruar aty njëlloj sikurse në Turqi”, është shprehur ambasadorja Erkal Kara, duke shtuar se po bëhen përpjekje intensive në luftën kundër FETO-s në Maqedoni. Erkal Kara, e cila detyrën e ambasadores turke në Shkup e ka nisur para tre muajve, madje thotë se “FETO ka ardhur në Maqedoni në vitet 90-të dhe qytetarët e Maqedonisë i ka bindur dhe i ka trajnuar dhe punësuar si në media, njashtu edhe në shkollat e saj, dhe duke mos u mjaftuar me këtë, i ka vendosur edhe në institucionet turke”. “Natyrisht, ne nuk e dimë numrin e saktë të këtyre, mirëpo pronarët e shumë institucioneve me të cilët jam takuar, janë shprehur se janë kundër tentativës për grusht shteti në Turqi më 15 korrik. Ne, nga ana tjetër, jemi shprehur se sa më shumë të mënjanohet kjo organizatë, aq më pozitive do të jetë gjendja në aspektin e interesave të Turqisë”, është shprehur Kara. Rezultatet e para të “hetimeve” për strukturat FETO, siç është shprehur Kara, nuk janë të këndshme. “Pamë shumë qartazi se FETO nuk është shpjeguar aq mirë këtu. Informacionet që posedojnë njerëzit, informacionet e maqedonasve nuk ishin aq të qarta sikurse te ne. Duke filluar nga këtu, fillimisht nga sfera politike, është dashur të takohemi me të gjithë liderët e partive dhe t’u shpjegojmë se sa e rrezikshme është kjo organizatë”, tha Kara, duke shtuar se atyre është dashur t’u shpjegohet se ajo që i ka ndodhur Turqisë, mund të ndodhë në çdo shtet. Njëra nga arsyet e rritjes së strukturës së FETO-s si organizatë në Maqedoni, sipas Kara, është “regjimi pa viza”. Ajo tha se pjesëtarët e organizatës vijnë dhe vendosen me lehtësi në Maqedoni për shkak të regjimit pa viza ose vendin e përdorin si shtet tranzitor. Duke treguar se njerëzve të të gjitha sferave u kanë sqaruar dhe do të vazhdojnë t’u sqarojnë një nga një mbi FETO-n dhe tentativën e saj për grusht shteti, Kara tha se “këta kanë tri faza themelore”. “E para është të infiltrohen në institucion; e dyta të marrin dhe të vendosin njerëzit e tyre aty; ndërsa e treta të uzurpojnë. Argumenti i tyre themelor është të uzurpojnë shtetin. Këtë ua kam shpjeguar zyrtarëve shtetërorë këtu”. Ambasadorja u shpreh se këto tema ua ka shpjeguar veç e veç edhe presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, dhe liderëve të katër partive politike. “Të gjithë kishin qëndrimin e përbashkët dhe më thanë se PO, kemi të drejtë se kjo organizatë është e rrezikshme dhe nuk do të thotë se ajo që ka ndodhur në Turqi nuk do të ndodhë edhe këtu. Duhet të jemi të kujdesshëm. Na thanë se do të na mbështesin në këtë drejtim sapo të formohet Qeveria”, theksoi Kara, duke thënë më tej se kjo gjë ka ndikuar pozitivisht te ta.