Problemet me drejtësinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut po detyrojnë milionerët të braktisin Turqinë për t’u vendosur në vende të tjera. Sipas partisë opozitare CHP, e cila ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për ikjen e parasë dhe të trurit nga vendi, në 3 vitet e fundit nga Turqia janë larguar plot 13 000 milionerë. Sipas raportit të paraqitur para parlamentit turk nga deputeti Murat Bakan, Turqia po përjeton largimin më intensiv të trurit në historinë e saj.
Në raport i jepet vend edhe studimit të përgatitur nga “New World Wealth”, sipas të cilit në krahasim me popullsinë dhe numrin e milionerëve, Turqia është shteti që po përjeton largimin më të madh të të pasurve. Sipas raportit, në vitin 2015 nga Turqia janë larguar vetëm 1000 milionerë, ndërsa pas grushtit të dështuar të shtetit, numri është rritur ndjeshëm duke shkuar në 6000 në vitin 2016.
“Përgjatë 3 viteve të fundit janë larguar 13.000 milionerë nga Turqia. Nga këta, 12.000 janë larguar në 2 vitet e fundit”, thuhet në raport, duke nënvizuar se milionerët po largohen si pasojë e shqetësimeve për mungesën e drejtësisë, demokracisë dhe shkeljes së të drejtave të njeriut në vend. Çështja e largimit të të pasurve duket se ka shqetësuar edhe Presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan, i cili në muajin Dhjetor tha: “Shikoj që ka përpjekje të disa biznesmenëve të transferojnë jashtë pasuritë e tyre. Së pari i bëj thirrje qeverisë: Nuk duhet të lejoni largimin e tyre”.