Turqia tha se ka përfunduar me sukses fushatën e saj ushtarake, shtatëmujore në veri të Sirisë. Megjithatë, kryeministri Binali Yildirim nuk e përjashtoi mundësinë e operacioneve të reja dhe nuk tha se trupat turke do të tërhiqen nga Siria.
Turqia ka nisur ofensivën në gusht të vitit të kaluar, për të dëbuar militantët e Shtetit Islamik nga kufiri i saj, por edhe për të ndaluar avancimin e luftëtarëve lokalë kurdë. Ankaraja është e shqetësuar se kurdët sirianë do të përpiqen të krijojnë territorin e tyre vetëqeverisës, të ngjashëm me rajonin autonom kurd të Irakut. Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, viziton sot Turqinë.