Ankara, 12 dhjetor – Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, njoftoi se operacioni për të çliruar lindjen e Eufratit në veri të Sirisë nga organizata terroriste JPG/PKK do të fillojë brenda pak ditësh, raporton Agjencia Anadollu.
Në një fjalim në Samitin e Industrisë Turke të Mbrojtjes në Ankara, Erdogan theksoi se kanë përfunduar përgatitjet në lidhje me lindjen e Eufratit.
“Turqia evitoi krizë të madhe humanitare në Idlib. Radha tani është t’i zhbëjmë grupimet terroriste në lindje të Eufratit”, deklaroi presidenti turk.
Erdogan u shpreh se deri më tani Turqia nuk ka pasur ndonjë armiqësi as kundër qeverisë amerikane dhe as kundër ushtarëve amerikanë në Siri.
“Pavarësisht çdo gjëje, ne Amerikën e shikojmë si aleatin tonë me të cilin mund të ecim së bashku në të ardhmen, por me kusht që të ndodhemi në të njëjtat baza të drejta. Mosmarrëveshjet tona të thella në politikën siriane, që ne e shohim si çështje ekzistenciale për vendin tonë, nuk duhet t’i lejojmë të përbëjnë pengesë për bashkëpunimet tona më të mëdha në të ardhmen”, tha presidenti Erdogan.
“Me këtë qasje, shprehemi se brenda disa ditëve do të fillojmë operacionin tonë për të çliruar lindjen e Eufratit nga organizata terroriste separatiste. Në cakun tonë nuk janë asnjëherë ushtarët amerikanë, por vetëm anëtarët e organizatës terroriste që operojnë në rajon”, shtoi Erdogan.
Ai deklaroi se pavarësisht fjalimeve pozitive përballë Turqisë, SHBA ka zgjedhur të pozicionojë në terren terroristët e organizatës terroriste JPG/PKK kundër DEASH-it.
“Së fundmi, ata filluan të hedhin hapa për trajnimin e 30 mijë terroristëve në rajon. Thonë se nuk ka një gjë të tillë. E gjithë media botërore e ka konstatuar këtë. Të gjithë i kanë këto informacione”, tha presidenti i Turqisë.
Sipas tij, SHBA ka avancuar tutje marrëdhëniet me organizatën terroriste, madje duke valëvitur flamurin e tyre pranë atij të terroristëve.
“Kush me kë është? Flamuri i tyre pranë leckave të tyre. Këtë çështje madje e çuan deri aty sa të organizojnë patrulla dhe trajnime të përbashkëta”, deklaroi Erdogan.
Një mision i mundshëm në lindje të Eufratit, të cilin qeveria e Turqisë e ka sinjalizuar prej muajsh, do të ndodhte pas dy operacioneve të suksesshme të Turqisë në Siri, operacionit “Mburoja e Eufratit” dhe atij “Dega e Ullirit”, të cilat kishin për qëllim eliminimin e pranisë së JPG/PKK-së dhe terroristëve të DEASH-it pranë kufijve të Turqisë.
– “Turqia arriti në nivel të avancuar në industrinë e mbrojtjes”
Duke folur rreth arritjeve të Turqisë në industrinë mbrojtjes, Erdogan tha se vendi i tij është duke ndjekur 650 projekte në industrinë e mbrojtjes me vlerë totale prej 60 miliardë dollarësh.
“Me hapat që kemi bërë në 16 vitet e fundit, Turqinë arritëm ta çojmë në nivel shumë të dalluar dhe të avancuar në industrinë e mbrojtjes”, shtoi ai.
Gjatë samitit u bë edhe prezantimi i helikopterit të ri të Turqisë, i cili prodhohet me mundësi vendase, për të cilin Erdogan njoftoi për herë të parë se do të quhet “Gokbej”.