Sipas një zyrtari të lartë të Ministrisë turke të Punëve të Brendshme, Turqia megjithëse kryeson në botë sa i përket trajtimit të krizës siriane, vitin e kaluar po ashtu pranoi aplikime për mbrojtje ndërkombëtare nga më shumë se 114 mijë persona.
“Turqia kryeson në trajtimin e krizës siriane, migrimit më të madh të shekullit 21”, tha Harun Bashibujuk, shefi i mbrojtjes ndërkombëtare në Departamentin e Menaxhimit të Migracionit pranë Ministrisë së Brendshme. Sipas tij, në vitin 2018 Turqia pranoi aplikime për mbrojtje ndërkombëtare nga 114.537 persona nga vende të ndryshme.
Bashibujuk po ashtu tha se Turqia u ka ofruar sirianëve në vend mundësinë për një jetë humane. “Vendi ynë i ka marrë sirianët nën mbrojtje përmes politikave absolute të pranimit dhe me dyer të hapura”, shtoi ai. Turqia aktualisht strehon rreth 3.6 milionë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë. Ky vend ka qenë një rrugë kryesore për migrantët e parregullt që përpiqen të kalojnë në Evropë, veçanërisht nga viti 2011 kur filloi lufta civile siriane.
Siria sapo ka filluar të dalë nga një konflikt shkatërrues që filloi në fillim të vitit 2011 kur regjimi i Bashar al-Assadit u përplas me protestat pro-demokratike. Sipas shifrave të OKB-së, qindra mijëra civilë sirianë janë vrarë në konflikt ose janë zhvendosur, kryesisht për shkak të sulmeve ajrore të regjimit në zonat e drejtuara nga opozita.