Ankara, 8 janar – Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Xhon Bolton sot u takua me këshilltarin e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, Ibrahim Kalin, me të cilin bisedoi për fatin e forcave të kurdëve sirianë.
Pas bisedimeve në kompleksin presidencial në Ankara, të cila zgjatën dy orë, Bolton deklaroi se ka kërkuar garanci nga Turqia se nuk do t’i sulmojë Forcat për mbrojtje të popullatës së kurdëve sirianë, të cilat janë aleatë të SHBA-së në luftën kundër grupit Shteti Islamik (SHI).
Bolton theksoi se ky është “kusht” të cilin e ka vendosur presidenti amerikan Donald Tramp, për tërheqjen e forcave të SHBA-së nga pjesa verilindore e Sirisë.
Ankaraja i vlerëson Forcat për mbrojtjen e popullatës si degë siriane të Partisë Punëtore Kurde (PKK), e cila lufton për autonomi të rajoneve të populluara me kurdë në Turqi. PKK është në listën e organizatave terroriste të Turqisë, BE-së dhe SHBA-së.