Turqia dhe Greqia drejt një lufte të pashmangshme

Një luftë Turqi-Greqi ka të ngjarë të ndodhë, jo për shkak të ndonjë gjëje që ka bërë Athina. Por sepse Erdogan është i dëshpëruar ta shkëpusë vëmendjen nga dështimi i qeverisë dhe falimentimi i vendit

 

Nga Michael RUBIN

Një luftë Greqi-Turqi së shpejti? Lista e vendeve që vuajnë pasojat e agresionit turk është e gjatë. Turqia ka pushtuar 1/3 e Qipros. Ajo ka përdorur kundër armenëve avionët F-16 dhe Forcat Speciale. Zyrtarët irakianë thonë se Turqia ka ndërtuar 68 pika ushtarake në territorin e saj, duke filluar nga njësitë e vogla në nivel toge, deri tek një bazë e madhe. Forcat Ajrore Turke bombardojnë çdo natë Irakun. Turqia po spastron etnikisht zona të tëra në veri të Sirisë. Në këtë sfond, duken alarmuese kërcënimet në rritje ndaj Greqisë nga ana e presidentit Recep Tayyip Erdogan. Në fakt, tensioni midis dy vendeve anëtare të NATO-s nuk përbën ndonjë gjë të re dhe i paraprin për dekada sundimtarit aktual Turqisë, që spikat për shpërthimet e tij publike. Megjithatë, 4 faktorë e bëjnë të ndryshme krizën aktuale. Së pari, Erdogan është haptazi revanshist. Ai synon të rishikojë – gjithnjë në favor të Turqisë – Traktatin shekullor të Lozanës, që përcaktoi kufijtë e Turqisë me Greqinë dhe Bullgarinë.

Advertisements

Ai pretendon në mënyrë të rreme se Greqia po shkel marrëveshjet e çmilitarizimit, ndërsa politikanët turq, përfshirë partnerin e koalicionit të Erdogan, dhe udhëheqësin e partisë nacionaliste, Devlet Bahceli, si dhe Ministrin e Mbrojtjes Hulusi Akar, thonë se duhet të zotërojnë të gjithë ishujt në lindje të vijës mesatare midis 2 vendeve në Detin Egje

Turqia nuk i kufizon vetëm në harta provokime të tilla. Avionët turq shkelin rregullisht hapësirën ajrore të ishujve grekë si Kastellorizo. Deklaratat e paqarta të Departamentit amerikan të Shtetit, e përkeqësojnë më tej situatën. Thënë thjesht:Turqia po shkel hapësirën ajrore greke dhe po pushton territorin qipriot, dhe jo anasjelltas. Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, duhet ta bëjë të qartë këtë gjë. Ekuivalenca morale dhe gënjeshtra, nuk janë bazë për paqen dhe drejtësinë. Së dyti, ekonomia e Turqisë po shkon drejt kolapsit. Erdogan u ngjit në pushtet dy dekada më parë në kushtet e një pakënaqësisë së madhe popullore ndaj inflacionit, dobësisë së lirës turke dhe korrupsionit të elitës në pushtet. Sot, inflacioni e kalon nivelin 80 për qind, lira turke ka humbur më shumë se 80 për qind të vlerës së saj gjatë 5 viteve të fundit, dhe Erdogan dhe familja e tij janë bërë miliarderë në asnjë mënyrë ligjërisht të shpjegueshme. Për shkak se Erdogan ka ushtruar një kontroll diktatorial mbi vendin e tij dhe ka dhunuar, burgosur apo margjinalizuar çdo opozitë efektive, ai nuk mund ta shmangë përgjegjësinë për gjendjen e rëndë ku ndodhet sot Turqia. Por në vend të përgjegjësisë, ai po kërkon një krizë për të shpërqendruar vëmendjen.

Dhe pushtimi i ishujve grekë dhe inkurajimi i Athinës për t’u kundërpërgjigjur, gjë që do të shkaktonte luftë, do të ishte devijimi i përsosur i fokusit. E njëjta dinamikë është në lojë, ndërsa Turqia po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të vitit të ardhshëm.

Brenda Departamentit të Shtetit, ka një tendencë drejt mendimeve të dëshiruara:Shumë persona që kanë informacione të pjesshme mbi marrëdhëniet SHBA-Turqi, e kuptojnë se sa problematik mund të jetë Erdogani. Por shpresojnë që votuesit e lodhur nga zullumet e tij, do ta largojnë më votë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ata mbajnë një shpresë të tillë, për të zbutur çdo lloj lëvizje që do ta mbante Turqinë përgjegjëse për këto shkelje. Por këtu problemi qëndron tek supozimi se Erdogan, që e cilëson veten si shërbëtor të popullit, do të pajtohej ndonjëherë me vullnetin popullor. Realiteti është se nëse Erdogan beson se është i destinuar të humbasë në zgjedhje, me një diferencë e cila do të jetë shumë të madhe për t’u kapërcyer nga manipulimet, atëherë ai do të shkaktojë artificialisht një krizë, dhe do të shpallë emergjencën kombëtare për ta përdorur si një justifikim për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve.

Dhe për Erdoganin, një luftë me Greqinë do të ishte zgjidhja e përsosur. Ndërkohë, administrata Biden e ka keqpërdorur avantazhin e saj. Ndërsa Biden e mori detyrën duke u shfaqur më rezistent ndaj sjelljeve të vrazhda të Erdogan sesa George W.Bush, Barack Obama apo Donald Trump, ekipi i tij ka bërë një hap të rëndësishëm prapa muajt e fundit, sidomos me miratimin e tij që i ka bërë shitjes tek Turqia të avionëve luftarakë F-16.

Ndoshta Biden dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, besonin se kjo do ta qetësonte Erdoganin pas humbjes së avionëve F-35, dhe do ta inkurajonte Turqinë të ndihmonte Ukrainën. Por ka pasur efektin e kundërt. Erdogan e interpretoi veprimin e Biden, si një dritë jeshile për të nxitur sulmet ndaj fqinjëve të tij, dhe si një sinjal se Turqia mund të blinte raketa shtesë S-400 nga Rusia pa pasur pasoja. Ndërkohë, Turqia po luan një lojë të dyfishtë me Ukrainën, duke bërë po aq sa Kina, Irani apo Koreja e Veriut për ta ndihmuar Rusinë t’i shmanget pasojave diplomatike dhe ekonomike të veprimeve të saj. Një luftë Turqi-Greqi ka të ngjarë të ndodhë, jo për shkak të ndonjë gjëje që ka bërë Athina. Por sepse Erdogan është i dëshpëruar ta shkëpusë vëmendjen nga dështimi i qeverisë dhe falimentimi i vendit. Pyetjet që ka të ngjarë të detyrohet t’i përgjigjet administrata e Joe Biden brenda një viti, është se çfarë mund të bëhet për të parandaluar agresionin e Turqisë, çfarë mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë mundësi Greqisë të neutralizojë më mirë dronët, avionët dhe raketat e Turqisë, dhe nëse Shtetet e Bashkuara mund të qëndrojnë vërtet mënjanë, nëse një anëtar i NATO-s sulmon një aleat besnik të NATO-s.