Të hënën do të fillojë hetimi i përbashkët i Turqisë dhe Arabisë Saudite për rastin e gazetarit saudit të zhdukur ditë më parë, raporton Anadolu Agency. Lajmi është konfirmuar nga burime diplomatike të cilët thanë për AA se nisja e hetimit duhet të ndodhë sa më parë.
Të njëjtat burime, konfirmuan se çështja e gazetarit Jamal Khashoggi, i cili nuk është parë i gjallë që kur hyri në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll më 2 tetor, do të fillojë të hetohet të hënën në mbrëmje.
Një ditë më parë, për rastin në fjalë biseduan përmes telefonit presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe mbreti i Arabisë Saudite, Selman Bin Abdulaziz.
Burime nga Presidenca e Turqisë thonë se qëllimi i bisedës ka qenë formimi i një komision hetimor, i cili do të merret me çështjen e zhdukjes së Khashoggit.
Në Turqi ka nisur një hetim mbi zhdukjen e tij, ndërsa raportuesi i agjencisë Reuters, tha më herët se Khashoggi është vrarë brenda në konsullatë, pas disa ditë ku u mbajt peng. Të njëjtat pohime i bëri edhe lidhja e mediave turko-arabe, e cila madje thotë se ka prova për të dëshmuar pohimin e tyre.