Turqia pritet të eksportojë në Shqipëri armë anti-dronë. Dronët do të blihen nga një kompani turke e mbrojtjes me seli në Turqi. Ky lajm i publikuar në mediat turke dhe shqiptare, ka alarmuar Greqinë. Në një nga artikujt e medias greke pentapostagma.gr, ky bashkëpunim ndërmjet Turqisë dhe vendit tonë është cilësuar si rrezik për Greqinë. Si duket mediat fqinje po i kushtojnë rëndësi të veçantë marrëdhënieve dhe zhvillimeve diplomatike, kjo pasi marrëveshja Shqipëri –Greqi për çështjen e kufirit detar është ende në diskutim. Gjithashtu mediat greke e cilësojnë veprimin e Shqipërisë dhe Turqisë, si përgatitje për sulm ndaj Greqisë nga baza ushtarake e Pashalimanit.
Media greke citon se: Bashkëpunimi për mbrojtjen Shqipëri-Turqi është forcuar dhe kjo kuptohet nga fakti se Shqipëria ka blerë sisteme dronësh nga një kompani turke e mbrojtjes me seli në Turqi. Koordinatori i kërkimit dhe zhvillimit i ndërmarrjes turke, Bekir Yalsin, ka deklaruar se kompania prodhon sisteme anti-dron në përputhje me kërkesat e Forcave të Armatosura Turke. Sipas informacionit, shqiptarët do të përdorin sistemet kundër mjeteve ajrore pa pilot që transportojnë drogë, bomba ose lloje të tjera të objekteve të paligjshme. Yalsin theksoi se sistemi anti-dron “IHAMAX” i eksportuar në Shqipëri është superior ndaj produkteve të tjera në fushën e tij. Sipas Yalsin arma peshon rreth 4 kg dhe siguron mbrojtje lineare dhe rrethore deri në 2 km. Ju kujtojmë se Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtjen me Turqinë. Ankara gjithashtu po përgatitet të zgjerojë objektet e saj ushtarake në bazën e Pashalimanit, ku ankorohen anijet luftarake detare turke dhe ka shumë të ngjarë që mini-aeroplanmbajtësi turk “Anadolu” të vendoset atje. Komandot shqiptarë dhe Forca e Policisë Ushtarake Speciale në Zall Her kanë zëvendësuar modelet e armëve ruse me armë automatike turke, të tilla si M20, MP5, M4A1, MPT-76, etj. Ndërtesat e sapondërtuara të standardit të NATO-s në Bazën Ajrore Kuçovë mbajnë ngjyrën e ullirit, karakteristikë e bazave ushtarake. Për Turqinë, Shqipëria mban një pozitë të spikatur në Ballkan për planet e saj neo-Osmane, të cilat tani po shpalosen në Nago-Karabak dhe Mesdheun Lindor.