Një vendim i Gjykatës së Lartë të Greqisë, e cila i dha azil Suleyman Ozkaynakci-t, të kërkuar nga Turqia si të përfshirë në grushtin e dështuar të shtetit, kanë sjellë sërish tensione mes dy vendeve.
“Gjykata e Lartë greke duke refuzuar ankesën e dorëzuar nga qeveria dhe miratimin e azilit për Suleyman Ozkaynakci, një prej puçistëve të arratisur pas tentimit të grushtit të shtetit të 15 korrikut, ka vënë firmën mbi një vendim skandaloz”, thuhet në deklaratën e MPJ-së turke.
Gjithashtu në deklaratë u theksua se ky vendim është në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare që Greqia ka, sa i përket luftës kundër terrorizmit dhe përbën shkelje të dispozitave të Konventës lidhur me Statusin e Refugjatëve të vitit 1951, raporton agjencia shtetërore turke e lajmeve “Anadolu Agency”.
“Greqia ka refuzuar më herët në mënyrë të përsëritur të ekstradojë puçistët tradhtarë Turqisë dhe kështu ka përgatitur terrenin për vendimeve të këtilla që janë fyerje për kombin turk. Greqia duhet të pushojë të jetë një port i sigurt për puçistët dhe të fshihet pas mekanizmave gjyqësore, ku mungesa e njohjes së ligjeve shkon deri në masën e shkeljeve të detyrimeve ndërkombëtare”, thuhet më tej në deklaratën e ministrisë turke.
“Të paktën tetë puçistë të FETO-s nga Turqia u arratisën në Greqi në mbrëmjen e tentativës së grusht shtetit. Për pjesëmarrje në tentativën e grusht shtetit të 15 korrikut të vitit 2016, pas të cilit qëndron organizata terroriste FETO, Turqia kërkoi ekstradimin e tyre, kurse ata kanë mohuar përfshirjen e tyre dhe kërkojnë azil në Greqi”, raporton AA.