Ankara, 13 nëntor – Autoritetet turke sot kanë dhënë urdhër për arrestimin e dhjetëra personave, të dyshuar për lidhje me organizatën e predikuesit islamik Fetullah Gylen, e cila në Turqi konsiderohet organizatë terroriste.
Prokuroria e Izmirit sot në mëngjes ka dhënë urdhër për arrestimin e 25 personave, mes të cilëve edhe mjekë, persona ushtarak, shkencëtarë dhe mësimdhënës.
Policia ka kryer aksione në 16 qarqe në vend. Deri tani janë arrestuar 12 persona.
Policia ndërmor edhe një operacion kundër ithtarëve të organizatës së predikuesit islamik Fetullah Gylen në pjesën veriperëndimore të Çanakkales, pasi prokuroria ka dhënë urdhër për arrestimin e 22 personave ushtarak.
Ato dyshohen për komunikim me të ashtuquajturit “imamë sekret” (anëtarë udhëheqës në organizatën e Gylenit, të cilët kanë dërguar ndjekësit e grupit në struktura të ndryshme shtetërore, siç është policia, armata dhe xhandarmëria).
Kryeprokurori i Ankarasë sot dha urdhër për arrestimin e shtatë personave të dyshuar për shfrytëzimin e aplikacionit “Bajllok” (ByLock). Besohet se aplikacioni është përdorur për përgatitjen dhe zbatim e grusht shtetit më 15 korrik të vitit 2016.
Operacionet janë ndërmarrë në Ankara dhe Stamboll. Deri tani janë arrestuar katër persona.
Sipas autoriteteve turke, grupi FETO i predikuesit islamik Fetullah Gylen, qëndron pas puçit në Turqi në vitin 2016.