Në vazhdim të hetimit kundër organizatës terroriste FETO, Zyra e Prokurorit të Shtetit të Turqisë lëshoi urdhër arresti për 85 ushtarakë të dyshuar, përfshirë 37 anëtarë aktivë të Forcave të Armatosura Turke, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyra e Prokurorit të Shtetit në Kayseri kryen hetime ndaj strukturave sekrete të organizatës terroriste të infiltruar në strukturat ushtarake.
Prokuroria mëngjesin e sotëm lëshoi urdhër arresti për 85 të dyshuar të cilët ngarkohen për lidhje me organizatën terroriste FETO, e cila më 15 korrik 2016 kreu tentimin e dështuar të grusht shtetit ushtarak në Turqi.
Ndër 85 të dyshuarit janë 37 ushtarakë aktivë, 38 të suspenduar më parë dhe disa ushtarakë në pension dhe pjesëtarë të akademisë ushtarake.
Duke vepruar sipas urdhërit, pjesëtarët e Departamentit të Policisë Anti-Terroriste nisën operacione të njëkohshme në 18 provinca turke.
Disa të dyshuar tashmë janë privuar nga liria dhe u janë dorëzuar autoriteteve për përpunim të mëtejshëm, ndërsa operacioni është në zhvillim e sipër.
Organizata terroriste FETO në vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar filloi të infiltrojë ithtarët e saj në institucionet e sigurisë së Turqisë, ashtu që në vitiet e ’80-ta në mënyrë të konsiderueshme e forcoi piramidën e saj paralele në kuadër të këtyre institucioneve dhe më në fund, më 15 korrik të vitit 2016, ajo kreu tentimin e pasuksesshëm të grusht shtetit ushtarak që synonte prishjen e rendit kushtetues dhe përmbysjen e autoriteteve të zgjedhura në mënyrë demokratike në Turqi.
Autoritetet turke po zhvillojnë hetime të gjera në procedurat gjyqësore kundër kësaj organizate terroriste.