Turistët e huaj të cilët parapëlqejnë qytetin e Bodrumit në provincën Muğla në perëndim të Turqisë, që njihet për pasuritë kulturore dhe bukuritë e pakrahasueshme natyrore, e cilësojnë atë si “shtëpi të dytë”, shkruan Anadolu Agency (AA).
Jo Clarke, turiste britanike e cila ka ardhur në Bodrum për të shfrytëzuar detin dhe diellin dhe për të zbuluar pasuritë kulturore, tha për AA se prej 15 vitesh vjen në Bodrum dhe ka dashuri për këtë vend.
Ajo tregon se në këtë qytet për herë të parë ka ardhur në moshën 15 vjeçare së bashku me familjen e saj.
“Erdha këtu me familjen kur kisha 14-15 vjeçe. Familja ime e do shumë Turqinë. Është një vend rehatues, ndërsa njerëzit janë shumë të mirë”, thotë Clarke.
Ajo nënvizon se Turqia ka një rëndësi të veçantë për të.
“Në Evropë ende ka shumë qytete dhe vende që dua t’i shoh, por Turqia gjithnjë gjendet në krye të listës”, shton Clarke.
– “Bodrumi është Saint Tropezi i Turqisë”
Ndërkohë, Tim Müeller nga Gjermania është në mesin e atyre që vizitojnë qytetin për herë të parë.
“Shëtitëm mirë në Bodrum. Vizituam edhe mullinjtë historik të erës. I dinim ushqimet turke nga Gjermania, por këtu janë më të mira. Një udhërrëfyes na tha se Bodrumi është Saint Tropezi i Turqisë. Atmosfera është shumë e mirë, njerëzit janë miqësor dhe vendi është mjaft i bukur”, thotë Müeller.
Edhe Jan Jadersand, profesor i gjimnastikës nga Suedia i cili gjendet për pushime në Bodrum, e cilësoi qytetin si fantastik dhe tha se e viziton atë prej dhjetë vitesh.
“Kur vij në Turqi dua të notoj dhe të shtrihem në plazh. E dua shumë diellin. Edhe në të ardhmen unë do të vazhdoj të vij në Bodrum”, thekson Jadersand.
Zeynel Kılıç, pronar i një hoteli dhe klubi të natës i cili prej 26 vitesh merret me turizëm, thotë se këtë vit ka një rikuperim serioz në fushën e turizmit.
Ai shprehet se kërkesat në Bodrum janë të mira, duke shtuar se turistët e huaj kanë mbushur “zbrazëtirat që u krijuan në kohën e Ramazanit dhe zgjedhjeve”.
Ai tha se hoteli do të jetë i mbushur deri në muajin shtator, ndërsa shtoi se aty presin mysafirë nga Evropa.
Ndërkaq, ai foli edhe për turistët nga Irlanda, për të cilët thotë se megjithëse nuk kanë fluturim direkt për në Bodrum, ata kalojnë në një udhëtim me tranzite që zgjatë disa orë.
“Ata udhëtojnë 10-12 orë dhe vijnë në Turqinë të cilën e duan shumë”, thotë Kılıç.
“Kemi turistë që tanimë 25 vite vijnë çdo vit. Ata kalojnë një periudhë të caktuar të vitit në Bodrum. Këta persona e shohin Turqinë si shtëpi të dytë”, vlerëson Kılıç.
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Hotelierëve të Bodrumit (BODER), Orhan Kavala, thotë se në periudhën e parë të sezonit kanë pritur më së shumti turistë nga Britania e Madhe, Gjermania, Holanda, Rusia dhe Polonia.
Ai shprehet se potenciali turistik i Bodrumit zgjerohet çdo vit.
“Teksa vitet e kaluara më së shumti kishte turistë nga Britania dhe Holanda, këtë vit rritje numerike kanë treguar edhe katër-pesë shtete të tjera”, thotë Kavala, duke shtuar se me rritjen e numrit të shteteve do të rritet edhe numri i turistëve që vijnë në këtë qytet.