Përfaqësuesit qeveritarë turq deklaruan se u nevojitet kohë që të publikojnë hollësira për atë çka ka ndodhur me gazetarin dhe disidentin saudit, Xhamal Kashogi.
“Të gjithë duhet të presin për rezultatin nga hetimi. Do të ishte humbje kohe që të flitet shumë për këtë”, deklaroi ministri turk i Punëve të Brendshme, Sulejman Sojlu.
Ai shtoi se Qeveria zbaton hetim “transparent” dhe se për rezultatin do të njoftohet bashkësia ndërkombëtare.
Sojlu theksoi se hetimi është “test” për sistemin ligjor të Turqisë.
Paraprakisht, shefi i diplomacisë turke Mevlud Çaushoglu shfaqi keqardhje që mbrëmë nuk filloi bastisja në rezidencën e konsullit saudit, sepse familja e tij ishte në objekt.
Hetuesit turq sot kanë hyrë në rezidencën e konsullit saudit Mohamed al Otajbi, i cili dje u largua nga Stambolli për në Riad.
Në ndërkohë, mediat saudite, njoftuan se konsulli i përgjithshëm i Arabisë Saudite në Stamboll, Mohamed al Otajbi është shkarkuar nga detyra dhe kundër tij do të ngritet hetim/
Al Otajbi është shkarkuar dhe do të jetë nën hetim për shkak të zhdukjes së gauzetarit Xhamal Kashogi, i cili për herë të fundit më 2 tetor është parë si hyn në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll dhe prej atëherë i janë humbur gjurmët. Ai e ka lëshuar Arabinë Saudite vitin e kaluar pasi e ka kritikuar politikën saudite në Jemen dhe presionin që e kryer ndaj kritikëve të pushtetit.