“Turp i madh”, Lucescu proteston pas koreve të tifozëve turq për Vladimir Putin

Dinamo e Kievit eliminoi Fenerbahce në raundin e dytë të Champions League, duke vazhduar përpara drejt kualifikimit në grupe, që është edhe objektivi kryesor.

Skuadra ukrainese fitoi 1-2 në Stamboll dhe kaloi në raundin e tretë pasi kishte barazuar 0-0 sfidën e parë. Tifozët turq e përjetuan keq eliminimin e ekipit të zemrës.

Ata filluan të thërrisnin në kor Vladimir Putin, emër që shkakton neveri, dhimbje dhe urrejtje në kampin kundërshtar. Trajneri i Dinamos ka protestuar për këtë veprim të tifozëve turq.

Advertisements

I mirënjohuri Mircea Lucescu vendosi të mos merrte pjesë në konferencën e zakonshme për mediet që zhvillohet pas ndeshjes. Ai nuk toleroi thumbimet e një pjese të tifozerisë së Fenerbahces duke zgjedhur të braktisë pjesëmarrjen në prononcimin për shtypin.

Ndërkohë komentoi shkurt ngjarjen e ndodhur për mediet ukrainase: “Nuk i prisja kore të tilla, ky është një turp i madh! Ishte një ndeshje e mirë midis dy ekipeve të forta. Jam i lumtur që djemtë e mi e ruajtën gjendjen fizike deri në fund. E merituam kualifikimin”.