Shkup, 28 prill – Në Qendrën e kulturës “Koço Racin” u promovuan dy libra me poezi, të autores Rina Turkeshi dhe Alma Zani Ademi. Autorja Rina Turkeshi vjen për adhuruesit e fjalës së bukur me librin e parë me poezi “A mundem të krijoj”, ku poezitë flasin për problemet që e rrethojnë autoren. Ajo shpreh realitetin e përditshëm, fatin e njeriut, të vendit dhe kombit. Redaktori i librit Rami Kamberi, tha se autorja gjatë viteve të saja e ka rënduar plaga e kësaj toke, përkatësisht gjendja e krijuar në rrethin shoqëror, ku jetohet në kushte të vështira, qoftë si pasojë e luftës apo edhe e krijuar nga faktorë të tjerë. Kjo sikur e detyron autoren që të mendojë për shtigje në kërkim të lirisë që i mungon. “Poetja e re i ballafaqon poezitë me realitetin e së përditshmes dhe me një gjuhë poetike shtron edhe dashurinë për dashuri dhe më shumë se dashuria – fati i kombit dhe Atdheut, njeriut shqiptar, i cili u plak shekujve në kërkim të lirisë”, tha Kamberi.
Ndërsa, libri “Zgjim vegimi”, të autores Alma Zani Ademi, përmban temat e atdheut, lirisë, vdekjes, etj. “Poezia e poeteshës Alma, jo vetëm në përmbajtje, por edhe në mjeshtërinë artistike, arrin që të dëshmon se edhe më tej poezitë janë poezi krahas penave e talenteve të reja brilante, të mos lëmë në harresë edhe stilin, që do të thosha është një stil me një natyrë të veçantë, që poeteshën e bën me një emërtim, si: nderi e krenaria e letërsisë sonë mbarëkombëtare dhe bashkëkohore, e cila e meriton të qëndrojë në piramidën e letërsisë shqipe si emër i veçantë”, tha redaktori Rami Kamberi.
Ndërsa, recensuesja e këtij libri, Behare Shabani Neziri, foli për përmbajtjen e librit, ku poezia e poetes mbetet brenda dashurisë familjare, e cila shtrihet mes dashurisë njerëzore, thirrje për një vend, si vendlindje, një ndjesi e thellë shpirtërore e poetes, me ngjyrime, muzikalitet dhe dashuri. Për të pranishmit Argjira Qullaku, me flaut, performoi muzikë nga repertori i këngës shqipe. (koha.mk)