Është e qartë që pas kalimit të emergjencës shëndetësore të krijuar nga COVID-19, vëmendja do të kthehet tek ekonomia në tërësi dhe turizmi në veçanti. Gara këtë vit nuk ka të bëjë me paketat që ofrohen, më shumë sesa me faktin se “kush e shtron i pari tryezën” për turistët e lodhur nga karantina. Kjo do të thotë se hapja e kufijve dhe ofrimi i sigurisë mbi situatën epidemiologjike janë dy pikat kyçe
Si qëndron Shqipëria në raport me vende të tjera konkurrente si Greqia, Mali i Zi, Kroacia apo Turqia? Secili nga këto vende po ndjek strategji të ndryshme por të gjithë bien dakord se data e hapjes së kufijve është vendimtare për sektorin. Po a jemi gati ne të presim turistët nga 1 qershori? Operatorët shprehen se po, veçse kërkohet që qeveria të lobojë fort për marrëveshje dypalëshe që do të garantojnë qarkullimin e lirë të turistëve, duke nisur së pari nga fqinjët dhe përtej. Tërmetet e vitit të shkuar i shkaktuan Nerada Kullës një dëm rreth 8 mijë euro në dyqanin e saj të suvenirëve në Durrës. Shpresa për të rikuperuar këtë dëm ishte sezoni i këtij viti, që duke pasur ecurinë e 2019-s, pritej që të ishte edhe më i mirë. Koronavirusi ka ndryshuar tërësisht pritshmëritë, por nuk ka zbehur optimizmin që sado i shkurtër të jetë sezoni, është një plus për gjithë sektorin dhe zinxhirin e tij mbështetës. “Unë mbaj bilancet e punës në detaj dhe vjet, në këtë kohë, Durrësi ishte i gjallëruar me turistë. Ishin disa festivale rajonale dhe aktivitete sportive, përveç turistëve të tjerë të organizuar me autobusë. Lëvizjet nisnin gradualisht nga marsi dhe maji sigurisht ishte shumë mirë. Këtë vit, gjërat nuk duken dhe aq mirë. Edhe pse u bënë tri javë që kam hapur dyqanin, ka ditë që nuk hyn kush për të blerë diçka. Në ditët më të mira, maksimumi janë 4 klientë, por blerjet janë shumë të vogla” – tregon Nerada. Ajo shprehet se ka marrë mbështetjen nga paketa e dytë e qeverisë, por që e gjithë pagesa ka shkuar për taksat e bashkisë dhe detyrimet e tjera. Qira, ujë, energji, ajo po i paguan me ato kursime që ka arritur t’i lërë mënjanë nga aktiviteti.
Sa i takon mbështetjes post-tërmetit për dëmet që pësoi, ajo nënvizon se nuk ka kërkuar asgjë nga qeveria për shkak të burokracive. “Zgjedh më mirë t’i rri në kokë biznesit dhe të nxjerr sa mundem sesa të shpenzoj kohën zyrave ku nuk është aq e thjeshtë të mbarosh punë, pasi ka zvarritje. Edhe qiranë kam vazhduar ta paguaj normalisht, sepse qiradhënësja e ka të ardhur me të cilën mbyll shpenzime të saj, kështu që nuk më duket e drejtë që t’ia vonoj. Këtë vit, ende nuk e kemi të qartë se çfarë do të ndodhë, pasi është viti zero i diçkaje që nuk e kemi hasur më parë. Mendoj se do të përpiqemi të gjithë të mbijetojmë dhe të bëhemi gati për vitin 2021. Maksimumi, Durrësi do të ketë 2-3 muaj turizëm plazhi me prani të vogël grupesh” shprehet ajo. Nga ana tjetër, sa i takon furnizimit të dyqanit, ajo shprehet se kishte bërë në shkurt një porosi të madhe që, për shkak të situatës, u shty, por tani ndoshta do të heqë dorë nga një pjesë, pasi nuk mendon se do të ketë një qarkullim të tillë që të justifikojë furnizime të mëdha. Edhe nëse vijnë turistët nga Kosova, shpenzimet e tyre në një dyqan suvenirësh nuk janë shumë të larta.
“Mendoj se do të fillojë plotësisht gjithçka në korrik, gusht shtator dhe siç po flitet me shtetasit nga Kosova. Sigurisht që ne si dyqane shohim përveç numrit të turistëve, edhe sesa shpenzon secili sipas shteteve. Për shembull, polakët dhe çekët kanë qenë një prurje shumë e mirë. Një polak shpenzon mesatarisht 60-70 euro në një dyqan suvenirësh, një shtetas nga Kosova shumë herë më pak” tregon Nerada. Ajo thotë se vëmendja gjatë kësaj kohe duhet të fokusohet te përgatitja e terrenit dhe rregullimet. Durrësi në disa zona ngjan me një vend lufte, për shkak të pasojave që la pas tërmeti dhe kjo nuk është estetikisht e bukur për syrin e një turisti. “Pallatet e dëmtuara duhet të ishin rregulluar apo suvatuar disi. Ato që ishin për t’u shembur, të ishin shembur, sepse do të përkojë më pas me ardhjen e turistëve. Infrastruktura, pastrimi i qytetit duhet të jenë në maksimum, pasi ky do të jetë një vit i vështirë, por duhet të lërë shije të mirë që në vitin 2021 të jemi edhe më mirë” – nënvizon ajo. (monitor)