Eksperti turizmit, Mislim Zendeli, thotë se turizmi rural paraqet një mundësi reale të ndihmojë popullatën që nuk është urbane me qëllim që ti mundësohet përmes kësaj forme të turizmit, të realizojë të ardhura dhe të ketë vende pune
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 17 dhjetor – Maqedonia e Veriut shumë ngadalë po ndjek modelet europiane të zhvillimit të turizmit rural. Përkundër potencialit të madh për një turizëm rural modern, akoma si shtet po ngecim në zhvillimin e këtij lloji të turizmit alternativ. Ekspertët e turizmit thonë se shteti duhet të angazhohet më shumë për të përmirësuar ofertën turistike dhe infrastrukturën rrugore dhe tjetër, që do të sjellë edhe punësime të reja, fuqizim ekonomik të popullatës në vendbanimet rurale. Akoma mungojnë edhe kapacitete më të mëdha për të mirëpritur turistët e huaj dhe vendor , që preferojnë mjedisin mahnitës malor. Me fjalë tjera, akoma mungon një ofertë më e madhe dhe unikale për turistët e huaj që dëshirojnë një përjetim ndryshe dhe ikje nga turizmi i uniformuar që ofron globalizimi. Ai paraqet edhe një alternativë ndryshe për turistët modern që dëshirojnë të ikin për një çast edhe prej jetesës së shpejtë në vendbanimet urbane të qyteteve, si dhe ti ikin turizmit masovik. Në shtetet perëndimore ai po shënon trend në rritje në ofertën turistike në Austri, Itali, Francë etj.
Eksperti turizmit, Mislim Zendeli, thotë se turizmi rural paraqet në fakt një mundësi reale të ndihmojë popullatën që nuk është urbane që ti mundësohet që përmes kësaj forme të turizmit të realizojë të ardhura dhe të ketë një vend pune. Sipas tij, turizmi rural si prioritet ka ikjen nga jetesa urbane në një jetesë të pastër, me bukuri natyrore, ushqim të shëndoshë. Njëherësh ai ndër të tjerash ofron edhe ndjenjën e mënyrës së të jetuarit në fshat, ofron aspektet kulturore, etnologjike, etj. Zendeli thotë se turizmi rural në përgjithësi në vend po zhvillohet hapa pas hapi, mirëpo për dallim prej Maqedonisë Perëndimore që shumë ngadalë po lëviz në drejtim të zhvillimit të turizmit rural, në Maqedoninë Lindore kemi një ecuri më pozitive, ku po zhvillohen edhe disa projekte dhe po shfrytëzohen edhe fonde për zhvillimin e turizmit rural.
“Si shtet nevojitet që së pari të përgatisim strategji zhvillimore të turizmit rural që nuk do të mbetet vetëm në letër, por do të jetësohet me projektet të ndryshme. Na duhet një grup ekspertësh të mirëfilltë dhe eminent të kësaj fushe që do të shkojnë të “huazojnë”, idetë e Bullgarisë dhe Sllovenisë e cila bile ka tejkaluar edhe më shumë shtete evropiane në këtë lëmi dhe ato ti përzgjedhim dhe implementojmë në kushtet tona”, shton më tej Zendeli. Krahas strategjisë, na nevojiten në radhe të parë edhe arsimimi i popullatës se si të bëjë biznes, trajnim dhe edukim i sipërmarrësve të ardhshëm që posedojnë potencial për turizmin rural si për shembull ekonomitë e vogla bujqësore që kultivojnë lopë apo dhen në vendbanimet rurale.
“Nevojitet që fermerëve që kanë bagëti dhe shprehin interesim për tu marrë me këtë biznes tu mundësohet të implementojnë standardet e ndryshme të turistike duke filluar nga pastërtia, krevatet e kështu me radhë, përkundër faktit se shtëpia edhe mund të jetë e vjetër”, thekson ai.
Profesori i turizmit në Universitetin e Tetovës, Mislim Zendeli shton më tej se duhet krijuar të gjitha kushtet që oferta turistike e të bërit “bagërdar” apo djathë, të shitjes së përpunimeve të qumështit, mjeljes së bagëtive, konsumit të qumështit të freskët dhe ushqimit të fshatit dhe të ngjashme të shitet si produkt i vlefshëm turistik. Me fjalë të tjera, shton ai, duhet ti mundësohet popullatës jo vetëm në Tetovë dhe Gostivar por edhe në vendbanimet e tjera rurale që të mos mendojë si biznes vetëm hapjen e restoranteve, kafiterive, por ti mundësohet të jetojnë në mënyrë të dinjitetshme edhe nga turizmi rural.
Nuk duhet harruar as përvojat dhe zhvillimin e turizmit rural edhe në Shqipëri si në Valbonë, Theth, rrethinën e Korçës etj. që kanë avancuar turizmin rural, shton Zendeli. Në ndërkohë, edhe analizat e ndryshme tregojnë se turizmi rural në Maqedoninë e Veriut kërkon një mbështetje më të madhe. Monitorimi i vitit të kaluar të Koalicionit Rural tregoi se vetëm 5 për qind i tur-operatorëve kombëtar dhe lokal po promovojnë turizmin rural dhe ofrojnë vizita dhe akomodime në mjediset rurale nëpër Maqedoni. Analiza më tej ka treguar se shumë pak nga ofruesit e turizmit rural në vend janë të njoftuar me subvencionet ekzistuese dhe me fondet evropiane, ndërsa ato që janë të informuar thonë se kanë vështirësi të plotësojnë kushtet për tërheqjen e këtyre mjeteve.
Ndryshe, turizmi rural shpesh plotësohet edhe me turizmin sportiv si raftingu në lum, kajak, sportet dimërore, aktivitete sportive me adrenalinë të lartë, ecjet dhe rrëshqitjet në dëborë. Gjithashtu në turizmin rural dhe malor futet dhe turizmi i biçikletave. Turizmi rural shoqërohet edhe me kultivimin e pemë- perime të freskëta dhe prodhimin e reçelit, turshive, ëmbëlsirave, pjekjes së bukës, dhe përgatitjes së ushqimit në mënyrë tradicionale. (koha.mk)