Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se planifikon të nis me lëshimin e certifikatave digjitale të vaksinimit kundër koronavirusit, madje që nga muaji qershor. Për qytetarët e vendeve të treta, përfshirë Ballkanin Perëndimor, është hapur po ashtu mundësia që të pajisen me këtë dokument kur të udhëtojnë. Megjithatë, duket se vaksinimi i shumicës së popullatës në Maqedoni, kështu siç po shkon, nuk do të përfundojë këtë vit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 prill – Vaksinimi i ngadalshëm deri tani për shumicën e shteteve të Ballkanit Perëndimor me përjashtim të Serbisë dhe Shqipërisë, ka ngritur edhe shqetësimet e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut për udhëtimin e tyre të lirshëm në muajt në vijim dhe në muajt e pushimeve verore. Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se planifikon të nisë me lëshimin e certifikatave digjitale të vaksinimit kundër koronavirusit, nga muaji qershor. Për qytetarët e vendeve të treta, përfshirë Ballkanin Perëndimor, është hapur po ashtu mundësia që të pajisen me këtë dokument kur të udhëtojnë. Megjithatë, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Kristian Vajgand , kujtoi se udhëtimet jothelbësore të qytetarëve të vendeve të treta mbeten të ndaluara.
“Ata që mund të udhëtojnë aktualisht, do të mund të marrin edhe një certifikatë digjitale të gjelbër, duke e kërkuar atë nga shteti, në të çilin udhëtojnë. Shtetet anëtare duhet të vlerësojnë provat e vaksinimit dhe ta lëshojnë certifikatën digjitale”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian Vajgand. Certifikatat digjitale të BE-së do të përmbajnë informacione në lidhje me vaksinimin, testin negativ PCR ose praninë e antitrupave. Në Komisionin Evropian, tha Vajgand, së shpejti, qytetarëve të vendeve të treta do t’iu njihen edhe certifikatat e vaksinimit të lëshuara nga vendet e tyre, por kjo, sipas zyrtarëve evropianë, kërkon harmonizimin e sistemit të lëshimit të këtyre dokumenteve me kërkesat evropiane.
“Me këtë, certifikatat e vendeve të treta do të pranohen në BE njësoj si certifikatat e gjelbra digjitale, të lëshuara nga BE-ja”, shtoi ai. BE-ja është kritikuar për fushatë të ngadalshme të vaksinimit kundër koronavirusit, por zyrtarët evropianë kanë fajësuar problemet me furnizim.
Nga ana tjetër , javën e kaluar ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi sqaroi se nuk do të negociojë Ministria e Ekonomisë për udhëtimet e qytetarëve të Maqedonisë në Greqi, por këtë do ta realizojnë institucionet kompetente. “Me fillimin e imunizimit në vend, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Jashtme do të fillojmë kontaktet me fqinjët dhe shtetet evropiane me qëllim që të gjenden zgjidhje e përbashkët për pranimin e ndërsjellë të testeve dhe pasaportave vaksinale. Ministria e Shëndetësisë po përgatit të gjitha protokollet dhe mënyrat për lëshimin e pasaportave të tilla”, shton Bekteshi, Sipas tij, në momentin kur do të fitohen udhëzimet nga institucionet përkatëse edhe ky dikaster do të ndërmerr aktivitete e nevojshme. Bekteshi shton se, obligim i kësaj dikasteri është të zhvillojë turizmin vendor dhe të mundësojë ardhjen e sa më shumë turistëve të huaj në vend. Në ndërkohë, për qytetarët e Maqedonisë nuk ka kufizime për të udhëtuar në Shqipëri dhe Mal të zi. Mund të udhëtohet edhe në Turqi, Bullgari dhe Kroaci, por me test negativ.
Në Shqipëri deri tani kanë arritur mbi 280 mijë vaksina dhe me to ka nisur vaksinimi masiv i popullsisë. Autoritetet shqiptare kanë theksuar se vaksinimi përveçse do të mbrojë shëndetin , vjen edhe para sezonit turistik duke e lehtësuar atë. Të dielën , kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se “do ta lehtësojmë sezonin turistik me se s’bën”. “Do të ngjitemi shumë shpejt në shkallët e larta të klasifikimit në Europë, për volumin e vaksinimit; do ta nxjerrim jashtë Armikun e Padukshëm më shpejt se shumë të tjerë në kontinentin tonë”. Sipas tij, ne do ta fitojmë këtë luftë me lidership, organizim, këmbëngulje e durim të madh dhe përmes vaksinimit të pandalur masiv, dhe do të kemi një sezon turistik të lehtësuar ndjeshëm. Në Shqipëri, priten edhe rreth 82 mijë vaksina nga AstraZeneca shumë shpejt nga ÇOVAX edhe nga një vend mik priten edhe 50 mijë doza AstraZeneca dhe deri në fund të prillit priten edhe 30 mijë doza Pfizer.
Në ndërkohë, Greqia ka paralajmëruar se më 14 maj do të hapë sezonin turistik, ndërsa për udhëtim në Greqi do të nevojitet test negativ PCR, posedimi i anti trupave apo certifikat për vaksinim. Në Greqi, deri më 19 prill është në fuqi karantina shtatë ditore pas ardhjes në vend.
“Ne shpresojmë të hapim turizmin më 14 maj, me rregulla specifike dhe me protokolle të update-uara”, tha ai. “Deri atëherë, ne gradualisht do të heqim kufizimet, nëse kushtet do ta lejojnë”. theksoi kohë më parë ministri grek i turizmit Haris Theoharis në panairin e turizmit në Berlin.
Në ndërkohë , deri ditën e hënë, shifra e përgjithshme e qytetarëve të të vaksinuarve në Maqedoni sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë ka arritur në 10 mijë. Në vazhdim e sipër është vaksinimi me 20 mijë vaksina Sputnik që u dhuruan nga Serbia për armatën, gjyqësorin, doganat, etj. Nga ekzekutivi kanë paralajmëruar se deri në fund të muajit maj, vendi pritet të ketë numër të mjaftueshëm të vaksinave për imunizimin e papenguar për më shumë kategori të qytetarëve. Në një intervistë ditë më parë, kryeministri Zoran Zaev, është shprehur se kryesorja tani është që ka filluar procesi i vaksinimit masovik ku po punohet që ky proces të mos ndërpritet, ndërsa shtoi se në këtë drejtim i mirëseardhur është edhe donacioni i fundit nga Republika e Serbisë. “Kjo do të na ndihmojë të tejkalojmë periudhën deri në gjysmën e dytë prillit, apo prej 10 deri 15 prill, kur presim edhe sasitë e ardhshme nga mekanizmi Kovaks, si dhe 200 mijë vaksinat kineze të kompanisë Sinofarm”, theksoi Zaev. Sipas tij, deri në fund të muajit maj do të kemi afër 350 mijë vaksina që do të sigurojnë vazhdimësi të imunizimit dhe vendosjen edhe fund të pandemisë.
Në ndërkohë, Maqedonia do të fitojë donacion prej 40 mijë vaksinash kineze nga Serbia, ndërsa në muajin shkurt fitoi donacion edhe prej 8000 vaksinash Pfajzer nga Serbia. Nga mekanizmi Kovaks deri tani janë fituar 24.000 mijë vaksina të prodhuesit Astra Zeneka, që arritën në fund të muajit mars. Përgjatë muajit prill duhet të arrijnë edhe 76.000 vaksina shtesë të prodhuesit Astra Zeneka. Javën e kaluar, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, takoi drejtoreshën e Institutit “Torllak”, nga Beogradi, ku së shpejti prite të fillohet me prodhimin e vaksinave kundër Kovid 19. Nga autoritet serbe është paralajmëruar se deri në 2 maj në këtë institut do të fillojë prodhimi i vaksinës ruse, fillimisht në fazën e parë përmes transportit të substancës, mbushjes dhe paketimit në bazë të standardeve më të larta, dhe më pastaj edhe shpërndarja e vaksinave në Serbi dhe rajon. Pas vendosjes së fazë së parë të prodhimtari do të përgatitet edhe studimi fizibiliti për ciklin e plotë të prodhimit të substancës në Serbi. Kjo do të kërkojë edhe furnizimin me pajisje të ndërlikuar teknologjike dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese. Besohet se prodhimi në kapacitetin e tij të plotë do të fillojë deri në fund të vitit. Ndryshe, vlerësohet se në tërë Ballkanin Perëndimor, vaksinimi dhe ngadalësimi i përhapjes së infektimit me virusin vdekjeprurës apo vendosja graduale e pandemisë nën kontroll, do të jenë parakushtet kryesore për rimëkëmbjen graduale të ekonomisë për këtë vit. (koha.mk)