Pritet që në vitin 2020 në shtet të vijnë mbi 1,3 milion turistë të huaj. Mirëpo edhe kjo shifër është e vogël në krahasim me mbi një milion vizitorë në qendrën turistike të Zllatiborit, apo mbi 3 milion turistë që vizitojnë Dubrovnikun për një vit
Nga Fisnik PASHOLLI
Maqedonia e Veriut pret që sivjet të fitojë afër 250 milion euro nga turizmi, ndërsa parashikimet më optimiste janë se deri në vitin 2023 si shtet do të fitojmë afër 500 milion euro nga fusha e njejtë. Punëtorët turistik presin që vitin 2020 në shtet të vijnë mbi 1,3 milion turistë të huaj. Mirëpo edhe kjo shifër optimiste e ardhjes së vizitorëve të huaj për tërë vitin e ardhshëm është e vogël në krahasim me mbi një milion vizitorë në qendrën turistike të Zlatiborit, apo mbi 3 milion turistë që vizitojnë Dubrovnikun për një vit. Vështirë se mund të krahasohemi me perlën kroate të turizmit ku një pjesë e madhe e vizitorëve janë vetëm në kalim dhe vijnë edhe nga anijet , apo të krahasohemi me Zlatiborin që ka turizëm për 12 muaj . Të dy këto qendra turistike organizojnë edhe manifestime të shumta kulturore si festivale, koncerte, panaire të ushqimit të shëndoshë, kongrese të ndryshme profesionale e kështu me radhë, ndërkaq evente të tilla në rivierën e Ohrit sikur janë tw zbehta.
Nëse marrim si shembull Ohrin dhe Strugën që supozohet të jenë qendrat kryesore turistike në shtet, shtrohet pyetja se si mund të presim më shumë turistë kur 40 vite flasim për ndërtimin e autostradës Shkup-Ohër-Strugë , apo për ndërtimin e një rruge moderne nga Ohri deri në Shën Naum. Akoma të dyja qyteteve ju mungon një brend i fuqishëm hotelerik botëror që do të tërheqë edhe turistë të huaj me xhep më të thellë, ndërsa kemi vetëm një hotel me pesë yje në liqenin e Ohrit.
Në Kodrën e Diellit pas shumë ankesave dhe vonesave më në fund u rindërtua rruga, por akoma ka vonesa në zhvillimin e kësaj qendre turistike që pa një investim serioz nga ndonjë investitor i huaj vështirë se mund të punësojë me mijëra njerëz dhe të sjellë me miliona e miliona euro në arkën e shtetit. Pra , në vend që të fitojmë me qindra miliona euro nga turizmi, na duhet të mendojmë se si të krijojmë kushte që për disa vite të fitojmë një miliardë euro nga turizmi. Në vitet e kaluara subvencionet për sjelljen e turistëve të huaja ashtu edhe subvencionet për fluturimet e lira , promovimi i shtetit dhe masat e tjera kanë dhënë rezultat deri diku, por ai nuk kënaq.
Edhe strategjitë e ndryshme të turizmit në 30 vitet e kaluara sikur kanë mbetur në letër. Mbetet që ekspertët e turizmit dhe punëtorët turistik të ofrojnë zgjidhje se çfarë lloj turizmi duhet të kemi me turistë “kallaballëk”, që pak harxhojnë, apo me turistë elitar në verë apo dimër që më shumë harxhojnë.
Vëmendje më të madhe kërkon edhe pastërtia për të cilën ankohen edhe turistët e huaj, dhe ndoshta është edhe koha që të themelohet një Institut për turizëm që do të analizojë trendet, llojet e turistëve, interesimet dhe ankesat e tyre që të mund në bazë të kësaj edhe të orientojë zhvillimin më të madh të turizmit në shtet në turizmin e dimrit, të banjave, të liqeneve, gastronomisë, gjuetisë dhe peshkatarisë, bjeshkatarisë e kështu me radhë. (koha.mk)