Në dokumentet e kohës, 100 vite më parë, konsullatat dhe legatat shqiptare të asaj kohe kërkonin krijimin e një agjencie turizmi në Shqipëri që të kishte dhe një guidë që udhëzonte turistët e huaj drejt vendit tonë.
Madje, në atë kohë turistët e huaj përjashtoheshin nga disa taksa që paguante kategoria “të huaj”, duke i dhënë kështu një hov të ri turizmit në Shqipëri, dhe duke promovuar bukuritë shqiptare.
Dokumentet e një shekulli më parë të publikuara tashmë online nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, tregohet qartë puna dhe mundi i qeverisë shqiptare në rritjen dhe nxitjen e zhvillimit turistik në vendin tonë.
Sipas shkrimit të konsullit shqiptar, Çatin Saraçi, turistët kërkonin të vizitonin vende që ishin larg komoditeteve të përditshme të tyre dhe Shqipëria ua ofronte më së miri këtë.
Në shkrimin e tij, Saraçi tregon për lehtësirat që kishin turistët në “anën tjetër të Europës të panjohur dhe piktureske”, siç e quan ai.
“Në Shkodër në buzë të nji nga ma të bukurët liqenë të Shqipënisë bashkuam nji gjeneral ingliz…Turisti mund të marr parasysh se deri në verën tjetër, do shkojë mirë kudo në këtë anë të Evropës të pa-njoftun dhe piktureske. Lamë Shqipëninë me hidhënim dhe u drejtuam për në Serbi në bregdetin dalmasien”, shkruante ai në 1927.
Gjithashtu, prej shkrimeve kuptohej se vitet ‘20 dhe ‘30 ishin vitet në të cilat qeveria shqiptare i kushtoi vëmendje të veçantë turizmit duke nxitur interesimin e të huajve ndërmjet ndihmës së konsullatave.
Në mjaft media të huaja me emër, turistët kishin shkruar për përshtypjet e tyre për Shqipërinë, si N.Koloneli P. T. Etherthon te Daily Mail, duke treguar për turizmin automobilistik, i cili ishte më i zhvilluari dhe në modë i asaj kohe.
Puna intensive e viteve ‘30 bëri që Shqipëria e asaj kohë të ishte pjesë e destinacioneve turistike të perëndimit të Ballkanit, përkrah Jugosllavisë dhe Greqisë, jo vetëm me turizmin automobilistik, por tashmë edhe për turistët që mbërrinin me transport detar në skelat e Durrësit, ose hynin të organizuar nga kufiri verior apo jugor i Shqipërisë.
Konsulli shqiptar, Çatin Saraçi në shkrimet e tij thotë se dhe vlera e turizmit u kuptua pas luftës botërore.
“Randësinë e turizmit e kanë njoftun mbas luftës botnore shumë shtete të vogla e të mëdha, dhe bajnë shumë sakrificë për me e vu në veprim në gjithë pikëpamjet..”, shkruante ai më 5 gusht 1929.
Duke e organizuar turizmin si aktivitet shtetëror, qeveria shqiptare hoqi taksën e vizës për turistët e huaj dhe i pajiste ato me “Kartën e Turizmit” e cila jo vetëm i diferenconte turistët nga kategoritë e tjera të të huajve që qëndronin në Shqipëri, por edhe u krijonte lehtësira të tjera gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri./Mapo.al/