Të shpresojmë se edhe në Strugë, Ohër, Prespë, Malin Sharr, Mavrovë, Berovë, apo edhe në ndonjë lokacion tjetër turistik që nuk mungojnë në vendin tonë, nesër të kemi më shumë shembuj të kthimit të suksesshëm të mërgimtarëve që do të gjejnë interesin ekonomik të investojnë në vendlindje të joshur edhe nga angazhimet më serioze të shtetit për të mbështetur dhe përkrahur më shumë zhvillimin e turizmit në Maqedoni
Nga Fisnik PASHOLLI
Keni një qytet dhe natyrë të mrekullueshme, por jo edhe një ofertë dhe gastronomi në nivel .Ky është vlerësimi I kuzhinierit të famshëm Italian Xhorxho Dijana për gjendjen e restoranteve në liqenin e Ohrit. Ai sugjeron një edukim më të madh të kuzhinierëve vendor, që bile sipas tij shpesh ju mungojnë edhe idetë elementare , si dhe mungon përdorimi i produkteve cilësore lokale ushqimore që nuk gjenden asesi në menytë e restoranteve lokale. Kjo i ngjason situatës sikur të keni një veturë luksoze si lamborxhini, por me motorin e Fiatit.
Në shtet sikur mungon gatimi me pasion i kuzhinierëve që shpesh mbetet në një profesion mbijetese vlerëson Dijana. Ekspertët sugjerojnë që të rritet niveli i ofertës gastronomike dhe hotelerike, të anulohet oferta monotone dhe gati e unifikuar e menyve, si dhe të ofrohen gjella unikale të bazuara në produktet vendore siç janë për shembull domatet e njohura të Ohrit.
Në Maqedoninë e Veriut jo vetëm që ngecim në raport me ndërtimin e rrugëve moderne si bazë infrastrukturore që lehtëson qarkullimin e njerëzve , mallrave dhe ideve , për shënojmë ngecje edhe në zhvillimin e turizmit si produkt modern të kohës që sjell punësime dhe mirëqenie për popullatën.
Po është e vërtetë se si shtet nuk kemi dalje në det, por sa i jemi kthyer shfrytëzimit dhe rritjes së potencialeve të llojeve të tjera të turizmit duke filluar nga ai i banjave ku me dekada nuk është zgjeruar tërësisht apo është modernizuar në bazë të relievit apo terrenit, rruga prej Mavrove për në Dibër, që është riparuar në fakt vetëm në mënyrë gjysmake. Me rrugë të lodhshme dhe mundimshme për udhëtim deri në Dibër apo edhe deri në Strugë apo Ohër, pak si vështirë të flasim për SPA turizëm apo për turizëm liqenor modern. Pra, në mungesë të një kushti kryesor të rrugësve moderne dhe të rehatshme për udhëtim, vështirë se mund të bisedojmë për një turizëm fitimprurës në shkallë vendi.
Bile edhe autostrada prej Shkupi deri në Gostivar, apo prej Kumanove deri në Vele , edhe përkundër pagesës së mijëra e mijëra udhëtarëve që për çdo ditë paguajnë nga 2 apo 3 euro për shfrytëzimin e saj , nuk ka parë riparim me dekada. Bile edhe turistët e huaj çuditen pse një autostradë moderne në korridorin dhjetë nuk është e shtruar me një shtresë të asfaltit të ri në gati gjysmën e gjatësisë së saj.
Çështje tjetër që mundon zhvillimin e turizmit në shtet është edhe mungesa e shembujve pozitiv të kthimit të punëtorëve turistik nga jashtë shtetit në vendlindjen e tyre, ku do të sjellin përvojat evropiane në gastronomi të adaptuara ndaj kushteve lokale.
Jo se në Maqedoninë e Veriut mungojnë restorante të mira dhe cilësore siç është për shembull ai në Mrzenci afër Gjevgjelisë ku piqen mbi 2500 qengja në vit, që një pjesë të madhe frekuentohen edhe turistët e huaj, megjithatë sikur nuk kemi kthimin e qytetarëve të Maqedonisë që punojnë në objektet e ndryshme hotelerike jashtë shtetit, që do të hapin restorante me prodhime origjinale gastronomike të zonës nga kanë ikur në mërgim.
Nuk kemi dëgjuar tek ne për një shembull të restorantit si “Mrizi i Zanave”, i cili ka marrë emrin e veprës poetike të Gjergj Fishtës, ku nuk mblidhen zanat, por vizitorë vendorë dhe të huaj që vijnë për të shijuar kuzhinën tradicionale me produkte ekskluzivisht të zonës. Idenë për hedhjen e hapit të parë të agroturizmit në Fishtë e pati romantiku i fshatit Altin Prenga. Ai, pas qëndrimit 11-vjet në Itali, donte të bënte diçka vetë, të ikte nga imazhi i emigrantit. Tradita e një familjeje kuzhinierësh i erdhi në ndihmë, por edhe një ide që njihet në perëndim, thotë ai.
Altin Prenga ka edhe një plan tjetër për të ndryshuar vendlindjen e tij. Kthimin e burgut famëkeq të Fishtës, në një vend ku përpunohet qumështi, reçelërat e marmelata duke shfrytëzuar të gjitha frutat e fermerëve të zonës, një vend ku përpunojmë pastërma dhe proshuta. Pra “hairin” e punës së tij ia shohin edhe me qindra fermerë të zonës që e kanë të sigurt plasmanin, jo vetëm të bagëtisë, por edhe të pemë perimeve dhe produkteve të tjera blegtorale.
Të shpresojmë se edhe në Strugë, Ohër, Prespë, Malin Sharr, Mavrovë, Berovë, apo edhe në ndonjë lokacion tjetër turistik që nuk mungojnë në vendin tonë, nesër të kemi më shumë shembuj të kthimit të suksesshëm të mërgimtarëve që do të gjejnë interesin ekonomik të investojnë në vendlindje të joshur edhe nga angazhimet më serioze të shtetit për të mbështetur dhe përkrahur më shumë zhvillimin e turizmit në Maqedoni që do të sjellë përfitime edhe për banorët e zonës, do të ulë papunësinë dhe do të hapë perspektivën që njerëzit jo domosdo të marrin biletën për një drejtim.
Në fund të fundit, edhe trendi gastronomik në botë anon kah kthimi në traditë dhe përdorimi maksimal i prodhimeve lokale bujqësore dhe blegtorale në përgatitjen e ushqimeve të ndryshme. (koha.mk)