Edhe pse shënohet rritje për tre herë e gjysmë e numrit të turistëve të huaj vitet e fundit, megjithatë stagnon dhe nuk përmirësohet qëndrimi më i gjatë i turistëve të huaj, që do të sjellë edhe më shumë të ardhura për ekonominë vendore
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 19 shkurt – Maqedoninë vitin e kaluar e kanë vizituar afër 710 mijë turistë të huaj që kanë realizuar afër 1.5 milion bujtje. Kjo me fjalë të tjera do të thotë se turistët në vend flenë në mesatare vetëm nga dy net. Përkundër subvencioneve të ndryshme për turoperatorët e huaj që sjellin turistë të huaj, aviobiletat e lira, promovimit të Maqedonisë si destinacion atraktiv turistik dhe masave të tjera mbështetëse, megjithatë për shkak të mungesës së ofertës të llojllojshme turistike dhe kapaciteteve të dobëta akomoduese, në 13 vitet e fundit në mesatare turistët e huaj flenë shumë pak, shkruan gazeta KOHA.
Të dhënat statistikore tregojnë se në periudhën 2006-2019 shënohet rritje prej 202.357 në vitin 2006 në 710 mijë turistë të huaj në vitin 2018. Nga ana tjetër, shënohet rritja e numrit të përgjithshëm të bujtjeve të turistëve të huaj nga 485.350 fjetje në 2006 në 1.5 milion fjetje vitin e kaluar. Kjo tregon se, edhe pse shënohet rritje për tre herë e gjysmë e numrit të turistëve të huaj në 13 vitet e kaluara, megjithatë bujtja e turistëve mbetet e njëjtë në vetëm dy net, apo stagnon dhe nuk përmirësohet qëndrimi më i gjatë i turistëve të huaj në shtet, që do të sjellë edhe më shumë të ardhura për ekonominë vendore.
Ekspertët e turizmit thonë se me anëtarësimin e vendit në NATO, por edhe investimet më serioze në hotele të reja dhe moderne, mund të presim edhe rritjen e numrit të turistëve të huaj në Maqedoni, që do të qëndrojnë më gjatë dhe do të harxhojnë më shumë. “Shteti nevojitet që më shumë të angazhohet për tërheqjen e investitorëve të huaj në sektorin e turizmit, por edhe të mbështesë afaristët vendor që shprehin dëshirë të investojnë në hotele të reja moderne me ofertë joshëse dhe atraktive për vizitorët e huaj”, vlerësojnë punëtorët turistik.
Vlerësohet se Maqedonia fiton në vit në mënyrë indirekte nga turizmi vetëm 5 për qind apo afër 500 milionë euro, ndërsa synimi i shtetit është që në të ardhmen, të kemi fitim prej 10 për qind nga turizmi si degë ekonomike, apo afër 1 miliardë euro. Një pjesë e madhe e turistëve të huaj qëndrojnë transit. Kjo do thotë se e vizitojnë vendin në kuadër të turneve ballkanike në më shumë shtete të rajonit ku përfshihet edhe Maqedonia. Akomodimi i turistëve të huaj kaq pak ditë në hotelet dhe bujtinat e ndryshme nënkupton se ato pak qëndrojnë, por edhe pak harxhojnë në Maqedoni.
Njohësit e sektorit të turizmit thonë se kemi të ardhura të vogla nga turizmi për shkak të infrastrukturës së keqe, por edhe mungesës së Strategjisë afatgjate për zhvillimin e turizmit. Edhe pse në Maqedoni shënon rritje numri i turistëve, megjithatë shteti akoma ballafaqohet me infrastrukturë joadekuate ku për shembull – edhe 27 vite pas pavarësisë, akoma nuk është ndërtuar autostrada drejt Ohrit dhe Strugës, dy qytetet këto me potencial të madh për turizëm, mungojnë kapacitetet akomoduese moderne apo hotelet si në liqene, por edhe në qendrat skiatore si Kodra e Diellit, Mavrova apo Pelisteri.
Sipas punëtorëve turistik , sfidë paraqet edhe rritja e qëndrimit të turistëve jo vetëm në Shkup dhe Ohër, por edhe në viset tjera, si dhe paketimi më i mirë i eventeve të ndryshme kulturore apo gastronomike në favor të tërheqjes më të madhe të turistëve të huaj. Punëtorët turistik thonë se si shtet kemi çfarë t’u ofrojmë turistëve të huaj, megjithatë shtojnë se na nevojitet një prodhim cilësor turistik i prezantuar, por edhe i menaxhuar si duhet, shkruan KOHA.
Ekspertët vlerësojnë se Maqedonia për shkak se nuk ka det, nuk ka edhe kushte për turizëm masovik. Fakti se rreth 70 për qind e turizmit botëror përfshihet nga deti dhe turizmi masovik, kjo imponon nevojën që Maqedonia të orientohet të gjejë vendin e saj në pjesën e mbetur prej 30 për qind. “Maqedonia mund të ofrojë turizëm si malor, alternativ, të banjave, transit apo hotelerik si turistëve vendor, ashtu edhe të huaj, por nevojitet një Strategji më vëllimore dhe cilësore që të ketë shfrytëzim më të madh të potencialeve vendore. Deri tani, turizmi i qytetit dhe liqeneve me fokus Shkupin ishin destincionet kryesore, por nevojitet të lëshohen klishetë për turizmin masovik dhe duhet të orientohemi në trendet e turizmit aktiv dhe pasiv me qëllim të tërheqjes së turistëve me xhep më të thellë, duke u ofruar atë turizëm që aktualisht kërkohet në botë siç janë qendrat në Veles dhe spa ku ekziston potencial i madh”, thonë nga Oda e turizmit të Maqedonisë. Ndryshe, se sa shumë mbetet për të punuar në sektorin e turizmit në Maqedoni, tregojnë edhe të dhënat se vetëm përgjatë sezonit të verës, Durrësi mirëpret mbi 800 mijë turistë në vit. Nga ana tjetër, Dubrovniku mirëpret mbi 3 milionë turistë në vit, ndërsa Bullgaria mirëpret mbi 800 mijë turistë në vit vetëm në turizmin dimëror. (koha.mk)