Tureçi: Vaksina e “Fajzer” dhe “BioNTeh” e sigurt edhe për njerëzit që e kanë kaluar Kovid-19

25

Nju-Jork, 2 dhjetor – Vaksina kundër koronavirusit e “Fajzer” dhe “BioNTeh” është e sigurt për njerëzit të cilët tashmë e kanë pasur Kovid-19, deklaroi sot anëtari i këshillit drejtues i “BioNTeh”, dr. Ozlem Tureçi.

“Kemi përfshirë njerëz të cilët paraprakisht kanë qenë të infektuar me koronavirusin dhe nuk kemi parë dallime në profilin e sigurisë”, deklaroi Tureçi para gazetarëve gjatë brifingut, drejtpërdrejt pasi qeveria britanike sot kumtoi se e ka miratuar vaksinën e tyre, njofton Si-en-en.

Personat të cilët kanë pasur Kovid-19 me siguri kanë imunitet të caktuar ndaj koronavirusit, por nuk është e qartë se sa zgjat mbrojtja.

“Fajzer” muajin e kaluar kumtoi se vaksina e saj është efikase rreth 95 për qind shtatë ditë pas dhënies së dozës së dytë tek personat të cilët kanë pasur Kovid-19 dhe tek ata që nuk kanë pasur.

Dy kompanitë farmaceutike më 20 nëntor kanë aplikuar për miratimin urgjent edhe në Drejtorinë amerikane për ushqim dhe barëra, FDA, këshilli këshilldhënës i së cilit do të vendosë më 10 dhjetor.