Zhvillimet e fundit politike në Turqi nuk kanë lënë pa prekur as futbollin dhe futbollistët. Vendi është përfshirë nga problematika të shumta pas grushtit të shtetit dhe atentateve terroriste dhe në këtë situatë edhe futbollistët detyrohen të mbajnë krahë të ndryshëm. I tillë është rasti i mesfushorit të Barcelonës, Arda Turan, i cili ka publikuar një video ku përkrah masat e marra nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, i cili kërkon të bëjë edhe disa ndryshime të rëndësishme kushtetuese për të rritur kompetencat e tij. Ish ylli i Atletico Madrid voton “po” ne videon e tij ku thekson se kjo votë shkon për një Turqi më të fortë. Një qëndrim që po bën shumë zhurmë sepse nuk bëhet fjalë vetëm për një nga futbollistët më të mirë të Turqisë por edhe për lojtarin e Barcelonës, klub që ka mbështetur gjithmonë inisiativat në mbështetje të të drejtave të njeriut. Në rrjetet sociale, tifozët katalanas dhe jo vetëm kanë vërshuar me një lumë kritikash duke kërkuar madje që Turan të largohet nga skuadra pasi ata nuk dëshirojnë një lojtar që mbështet një regjim si ai i Francos. “Turan mbështet Francon turk, çfarë mendoni të bëni?”, iu drejtohet me një pyetje një tjetër tifoz i Barcelonës drejtuesve të klubit. Gjithsesi, kjo nuk është hera e parë që një emër i njohur i futbollit rurk mbështet presidentin Erdogan, pasi në vitin 2010 Hakan Sukur doli hapu në mbështetje të tij dhe pse aktualisht është një nga njerëzit më të kërkuar pasi akuzohet si pjesëmarrës në grushtin e shtetit, duke u detyruar të emigrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.