Përgjegjësit e 27 prillit duhet të marrin dënimet e merituara, kurse institucionet dhe shoqëria duhet të lirohet përgjithmonë nga gjithë ata që mendojnë se patriotizmi buron prej zhurmës së tupanëve të vdekjes. Fundja, patriotizmi nuk është zhurmë, por ndjenjë për të dashur atë që të takon. Tupanxhinjtë e djeshëm dhe frymëzuesit e tyre deshën të uzurpojnë edhe atë që nuk iu takon
Nga Emin AZEMI
Dje para Gjykatës Penale në Shkup ishte organizuar një spektakël rural me zurla e tupana. Ideatorët e këtij panagjyri provincial kishin menduar t’iu bëjnë një pritje spektakolare organizatorëve dhe pjesëmarrësve të ngjarjeve të përgjakshme të 27 prillit. Në mesin e të akuzuarve ndodhet edhe Mitko Çavkov, ish shefi i policisë së uniformuar të Maqedonisë, për të cilin ka dyshime të bazuara se mund të jetë fajtori kryesor për eskalimin në përmasa vrastare të atyre ngjarjeve. Gjithkund në botë ka një soladarizim me të burgosurit dhe ata që janë kandidat për tu burgosur.
Edhe në Maqedoni ka patur solidarizime të tilla dhe kjo është krejt normale kur vetë akti i solidarizimit mbështetet mbi një bindje të bazuar se të akuzuarit padrejtësisht ndodhen nën shënjestrën e drejtësisë. Por, në rastin e grupit që i organizoi ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit, ku pati edhe tentim vrasjeje të deputetit Zijadin Sela, për çfarë solidariteti mund të flasim? A ia vlen të organizohet gjithë ai spektakël për një tufë njerëzish që si synim kishin vrasjen e deputetëve?! Çka mund të ndodhë me atë ndërgjegje njerëzore e cila dorëzohet para akteve makabre dhe shndërrohet në ndjenjë agresiviteti? Te solidarizohesh me vrasës potencial, duhesh të jesh ose në kufijtë e çmendisë, ose të jesh i verbuar nga nacionalizmi primitiv.
Mund ta merrni me mend sikur para Gjykatës së Nurembergut (më 24 nëntor 1945) të ishin organizuar protesta të qytetarëve gjermanë në shenjë solidariteti me nazistët të cilët atë ditë po uleshin në bankën e të akuzuarve për krimet monstruoze që i kishin kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por kjo nuk ndodhi. Populli gjerman ishte i vetëdijshëm për dëmin që kishin shkaktuar fundërrinat e tyre dhe me dekada politika gjermane, sidomos ajo e jashtme, u tregua mjaft e kujdesshme në trajtimin e temave që prekte sentimentin e viktimave, posaçërisht atyre hebreje. Ndjenja e keqardhjes ishte kultivuar me vite në shoqërinë gjermane dhe kjo Gjermani që është sot, nuk do të ishte e tillë sikur të mos kishte funksionuar nervi kolektiv i ndërgjegjes së vrarë, i ndërgjegjes që prodhon kurajën për kërkimfalje. Çka po mendojnë këta tupanxhinjtë e Shkupit, se zhurma e tyre do ta shurdhojë drejtësinë? Pse mendojnë ata se pikërisht këta të akuzuar janë heronjtë e tyre? A ky është portreti moral e qytetar i heroit? Kështu ata i edukojnë brezat e rinj, se kjo është mënyra për tu bërë hero? Duke vra deputetë? Duke shkatërruar institucione? Duke imponu me dhunë në Parlament politikën e rrugës?
Paaftësia e një shoqërie për të mos krijuar mekanizma distancimi nga e keqja e vet, herët a vonë shpie në kalbjen e asaj shoqërie. Kalbja morale është gangrena më vdekjeprurëse e asaj shoqërie. Një pjesë e madhe e atyre që dje kishin dalur me zurla e tupana para Gjykatës Penale në Shkup po tregonin se sa të kalbur janë. Po tregonin se virtyti i tyre ishte dëmi që mund t’iu bëhet të tjerëve.
Ata po mbronin dhe po solidarizoheshin me një kategori njerëzish që kishin zgjedhur vdekjen si kod që manifestonte sjelljen e tyre. Me kodin e vdekjes ata ishin munduar të komunikojnë gjatë gjithë mbrëmjes së 27 prillit, kurse pamjet e filmuara që tregonin Zijadin Selën e përgjakur, shpërfaqshin mekanizmin vdekjeprurës të veprimit politik.
Më 27 prill ky grup vrastarësh bënin politikë në emër të ruajtjes së do farë parimesh patriotike që ata i kishin skicuar për të qenë të shenjta. Maqedonia e së ardhmes, e kombeve të lira e të barabarta, nuk guxon të merr me vete këtë llum që ende krenohet me të këqijat që i ka bërë. Përgjegjësit e 27 prillit duhet të marrin dënimet e merituara, kurse institucionet dhe shoqëria duhet të lirohet përgjithmonë nga gjithë ata që mendojnë se patriotizmi buron prej zhurmës së tupanëve të vdekjes. Fundja, patriotizmi nuk është zhurmë, por ndjenjë për të dashur atë që të takon. Tupanxhinjtë e djeshëm dhe frymëzuesit e tyre deshën të uzurpojnë edhe atë që nuk iu takon. (koha.mk)